Ecuria e mirë e Vllaznia U-21 në këto javë të kampionatit nuk është rastësi, por ka ardhur nga puna e madhe e bërë çdo ditë në stërvitje nga stafi teknik, me në krye trajnerin Elvis Plori dhe futbollistët e tij. Në fakt, baza e këtij ekipi janë futbollistët 19-20 vjeçarë që janë të federuar me këtë ekip.

Kështu, njëri që ka spikatur deri më tani është mbrojtësi i qendrës, Klejdi Paloka. Futbollisti 20-vjeçar është shndërruar në protagonist të këtij ekipi, me lojën që po zhvillon në qendër të mbrojtjes, duke fituar vëmendjen e të gjithëve.

Paloka është rritur tek ekipet e moshave të Akademisë Vllaznia, me të cilat ka luajtur prej disa vitesh me rradhë, teksa luan edhe sot me ekipin e Vllaznia U-21. Qendërmbrojtësi i ka kaluar të gjitha grupmoshat, duke filluar me ato U-15, U-17 dhe U-19, teksa që në sezonin e kaluar duke mos gjetur vendin dhe minutat e duhura tek ekipi i parë, ka luajtur me Vllazninë U-21.

I pafjalë dhe shumë i disiplinuar, mbrojtësi ka vijuar të punojë fort në stërvitje çdo ditë dhe parametrat e tij po rriten pak nga pak. Në fakt, përveç kësaj, edhe trajneri Plori i ka dhënë shumë besim dhe Paloka po ia shpërblen.

Këtë sezon me ekipin e Vllaznia U-21 është shndërruar në liderin e mbrojtjes, sepse loja e këtij ekipi nis prej këmbëve të tij pothuajse në çdo aksion. Paloka ka vizion loje, i shpërndan mirë topat, por edhe i pëlqen të godasë shpesh herë edhe portat kundërshtare, teksa edhe ka shënuar gola dhe poashtu ka krijuar edhe jo pak raste të rrezikshme, qoftë në goditjet standarte apo edhe në rastet e tjera përpara portës.

Realisht, Klejdi Paloka është një shembull i mirë i një futbollisti që po rritet dhe formohet profesionalisht vetëm falë punës sistematike të tij dhe nëse vazhdon të punojë kështu, me siguri që ka për të arritur lart, teksa edhe në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës, zhvilloi një përformancë pozitive, duke luajtur për 90-minuta në qendër të mbrojtjes.
Maringlen ZHIVANI