Andreas Ndoji është vetëm 19-vjeçar, por te Olimpiakosi po i besojnë së tepërmi. Mesfushori shkodran ishte titullar edhe në ndeshjen e djeshme të Europa League, teksa ekipi grek barazoi 1-1 në transfertë ndaj ekipit gjerman Freiburg.

Realisht, për t’u vlerësuar është fakti se, Ndoji ishte një nga më të mirët e takimit. Ndërkohë, pas ndeshjes së djeshme të Europa League, media greke “Gavros” ka shkruar: “A nuk është e bukur? Ndoji luan si titullar dhe ishte një prej më të mirëve të ndeshjes, por askujt nuk po i bën më përshtypje tashmë”, shkruhet në median greke.

Në fakt, për mesfushorin shkodran, kjo nuk është diçka e re, sepse prej disa kohësh është në stërvitje me ekipin e parë, madje ka qenë edhe pjesë e tij në ndeshjet europiane. Megjithatë, tashmë që edhe zyrtarisht, do të jetë pjesë e ekipit të parë për pjesën e mbetur të sezonit, do ta motivojë edhe më shumë Ndojin.

Poashtu, mediat greke i kanë bërë jehonë faktit që ai së fundmi, u grumbullua me Kombëtaren e Shqipërisë. Ndërkohë, tek Olimpiakos e vlerësojnë në maksimum dhe e shikojnë futbollistin shkodran, Andreas Ndoji, si një element i së ardhmes.
Maringlen ZHIVANI