Vllaznia e femrave e ka humbur me rezultatin e thellë 0-8 ndeshjen e dytë në grup, atë ndaj ekipit të Çelsit luajtur mbrëmjen e së mërkurës në Londër. Kuptohet që vetë rezultati i ndeshjes tregon më së miri diferencat ndaj të dy ekipeve por ajo që ka spikatur në këtë takim ka qenë prania e madhe e tifozëve shqiptarë të cilët kanë dhuruar spektakël në tribunat e stadiumit, ndonëse kampionia e tyre po humbte në shifra të thella.

Pikërisht për këtë mbështetje të jashtëzakonshme që i dhanë ekipit, tifozët kanë marrë edhe një falenderim nga ana e presidentit të Vllaznisë Lazer Matija. Në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport”, ai do të shprehej:

“Zhgënjimi i asaj humbje me rezultat të thellë ndaj Çelsit, sigurisht që na është fashitur disi nga ajo mbështetje e jashtëzakonshme dhe spektakli që dhanë në tribunat e stadiumit tifozët shkodranë dhe ata shqiptarë. Ata jo vetëm që nuk u ndalën asnjëherë në mbështetjen e skuadrës, por bënë për vete edhe anglezët dhe kjo padyshim që ishte diçka shumë e veçantë.

Nuk ndodh shpesh që në ndeshje të tilla, kur skuadra pëson njëri pas tjetrit disa gola, tifozët të vazhdojnë ta mbështesin atë sepse kemi parë që edhe e kanë braktisur fare stadiumin, por këtë herë ndodhi ndryshe madje në fund të takimit, i takuan vajzat tona duke i konsideruar heroina të vërteta.

Nuk kam fjalë për këtë veprim të tifozëvë tanë në Angli të cilët lanë punët e tyre, udhëtuan me qindra kilometra, për t’iu gjendur pranë Vllaznisë dhe ngrohtësinë e tyre e patëm gjithnjë pranë, që nga momenti kur kemi zbritur në aeroportin e Londrës dhe deri në momentin kur jemi kthyer.

Unë e kam thënë shpeshhherë dhe vazhdoj ta përsëris: Tifozët shkodranë janë më të mrekullueshmit në botë dhe ne të gjithë që përfaqëojmë Vllazninë duhet të jemi krenarë me to”.

Presidenti Matija ndërkohë ka folur shkurt edhe për ndeshjen dhe rezultatin e saj të thellë duke shtuar: “Diferencat në fushë në mes dy skuadrave janë shumë të mëdha dhe si rrjedhojë kjo u reflektua edhe në fushën e lojës. Vllaznia u mundua të bëjë më të mirën në fushë dhe ndonëse u përpoqëm sigurisht që nuk dhamë më të mirën tonë.

Çaluam në pika të veçanta dhe përpos kësaj, tek skuadra u vërejtën edhe disa shenja lodhje, ndikuar edhe nga udhëtimi i gjatë që bëmë dhe pritja e gjatë nëpër aeroporte. Megjithatë ky nuk është justifikim dhe ne na del për detyrë të vazhdojmë të punojmë fort e të përmirësohemi sepse na presin sfida të tjera të vështira.

Pavarësisht të gjitha këtyre gjërave, jo vetëm unë si president i Vllaznisë, por besoj se të gjithë shqiptarët duhet të vazhdojmë të jemi krenarë me këtë ekip i cili ka shënuar një arritje historike, kualifikimin në 16 më të mirat e Europës”./SHKODRA-SPORT.COM/