Si sot një javë më vonë në stadiumin “Loro Boriçi” është planifikuar të luhet ndeshja e Kupës së Shqipërisë në mes Vllaznisë dhe Kamzës. Por nga situata atmosferike që po mbizotëron në Shkodër dhe në Veriun e Shqipërisë, zhvillimi i kësaj ndeshje duket në dyshim.

Arsyeja është se fusha e stadiumit që prej një jave është e mbuluar nga bora. Temperaturat e ulëta të cilat kanë qenë prezente gjatë gjithë këtyre ditëve dhe pritet të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme, e bëjnë të pamundur shkrirjen e saj. Dhe në fakt, kemi të bëjmë me një trashësi të konsiderueshme të borës.

Punonjësit e stadiumit kanë bërë matjen e saj mëngjesin e sotëm dhe siç e shikoni edhe nga fotoja, në stadiumin “Loro Boriçi” aktualisht ka 21 cm borë.

Rënia e reshjeve të shiut apo rritja e temperaturave mund ta shkrijnë atë por kjo nuk pritet të ndodhë edhe për disa ditë. Për këtë arsye, ndeshja Vllaznia- Kamza mund të jetë në diskutim për t’u zhvilluar të mërkurën tjetër edhe sepse e njëjta situatë është edhe tek fusha “Reshit Rusi”.
© shkodrasport.com