E kemi thënë edhe më parë se interesimi për ndeshjen e pasdites së sotme, atë Vllaznia- Teuta duket se është më i madh se herët e tjera. Kjo duket edhe tek numri i biletave të shitura deri më tani. Burime pranë kompanisë që merret me shitjen e tyre, bëjnë të ditur se deri në orën 13.00 janë shitur 2500 bileta. Një numër ky praktikisht i konsiderueshëm kur ke parasysh se shkodranët por edhe shqiptarët duan ta blejnë biletën vetëm pak minuta para ndeshjes.

Por praktika e aplikuar për hapjen e sportelit që ditën e premte, ka dhënë efektin e vet. Aktualisht janë dy të tillë të hapur dhe nga ora 15.00 mendohet të jetë edhe një sportel i tretë i hapur në ambjentet poshtë tribunës së stadiumit. Pritet që në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” sot pasdite në orën 19.00 të jenë mbi 7 mijë tifozë për të mbështetur Vllazninë. Një nisje e mbarë e kampionatit prej saj, ka bërë që edhe tifozët të jenë të interesuar për ta mbështetur atë nga shkallët e stadiumit në të parën ndeshje që do të zhvillojnë në Shkodër. Në këtë interesim ka ndikuar edhe çmimi shumë i favorshëm i biletave për thuajse 80 % të stadiumit sepse një biletë aty kushton vetëm 2000 lekë të vjetra.

© shkodrasport.com