Vllaznia në basketboll për meshkuj nuk ia ka dalë të bëjë paraqitjen që shpresonte dhe si rrjedhojë e ka humbur ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Teutës, madje në shifra disi të thella për një sfidë të tillë, 73-103, pra me një diferencë prej 30 pikësh.

Ndeshja është luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit dhe është dominuar nga vendasit që nga fillimi e deri në fund. Në 10 minutat e para, Teuta ka udhëhequr dhe i ka mbyllur ato me shifrat 25-18 dhe kjo epërsi është thelluar edhe më shumë në të dytën që u fitua sërish nga Teuta me rezultatin 29-15.

Në të mënyrë ajo ka shkuar me një diferencë prej 21 pikësh në pushimin e ndeshjes, diferencë kjo e mjaftueshme për të kontrolluar gjithçka në pjesën e dytë. 10 minutëshi tjetër i ndeshjes do të dhuronte shifrat 24-19, gjë që tregon më së miri për dominimin e bregdetarëve të drejtuar nga trajneri Nikola Milatoviç.

Perioda e katërt dhe e fundit do të dhuronte rezultatin 25-21 per Teutën që në këtë mënyrë e ka fituar krejt ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 103-73. Ndeshja e dytë do të luhet ditën e dielë në orën 19:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës dhe Vllaznia sigurisht që do të synojë të bëjë një paraqitje ndryshe, për ta mbajtur hapur garën për në finale./shkodrasport.com/