Sezoni i Rei Manajt po vazhdon në mënyrën më të mirë të mundshme për sulmuesin e përfaqësueses shqiptare. Futbollisti ka shënuar sot golin e tij të 10 sezonal me Barcelonën B, duke e ndihmuar të fitojë sfidën ndaj Vijareal B me shifrat 3-2 dhe të ngjitej në vendin e dytë në renditjen e grupit ku bën pjesë për kualifikimin në La Liga 2.

Barcelona B kishte një sfidë të vështirë që duhej ta fitonte medoemos për të rifituar terren pas humbjes me Ibizan javën e kaluar. Suksesi erdhi, por mes vështirësish pasi Vijareal luftoi deri në fund.

Goli i Manajt ishte i treti i kësaj sfide, i shënuar me penallti të cilin ai e ekzekutoi saktësisht duke dërguar portierin në krahun e kundërt.

Fitorja 3-2 ngjit Barcelonën B në vendin e dytë në grupin e vet kualifikues dhe për momentin e mban në zonën e skuadrave që do të vazhdojnë të luftojnë në play-off për ngjitjen në La Liga 2, një objektiv që duket i arritshëm falë edhe golave të sulmuesit shqiptar. /vipsport/