Lautaro Martinez ndodhet ende në Argjentinë. Ndërkohë që tek Interi po presin rikthimin e tij në bazë për t’iu bashkuar trajnerit të ri dhe grupit të shokëve, nga vendlindja “demi” lëshon sinjale dashurie për zikaltrit, kur çështja e rinovimit të tij ngelet ende pezull.
KUPA E AMERIKËS – “Ndërsa kalojnë ditët, e ndiej më shumë atë që kemi arritur. Do të ngelemi në histori, sepse kemi bërë diçka të pabesueshme, fituam kundër Brazilit që ishte i zoti i shtëpisë. Kupa duhet të luhej në Argjentinë, por e çuan në Brazil dhe na shijoi më shumë. Për Botërorin 2022 do të mendoj pas sezonit të ardhshëm me Interin”.
MESI – “Është futbollisti më i mirë në botë, është yni, stërvitet në maksimum dhe është një shembull për të gjithë. Bën gjëra që të tjerët nuk i bëjnë dhe duhet të mësojmë sa më shumë nga ai. Nuk do ta harroj kurrë ditën kur e kam parë të stërvitet për herë të parë, më dukej si ëndërr”.
TRIUMFI ME INTERIN – “Shpallja kampion Italie me Interin, ishte një moment shumë i rëndësishëm për anën time profesionale. Kam jetuar momente të pabesueshme, ndjenja që nuk i kisha provuar, bashkë me familjen time. Jam shumë i lumtur për karrierën që po kryej. Ajo që bëj me Interin, më ndihmon edhe me kombëtaren dhe mezi pres të vazhdoj të mësoj nga ekipi dhe nga trajneri që do të kem. Në horizont është sezoni i ri dhe mezi pres t’ia nisim”.
LINIERS – “Dëshira ime është të tërhiqem te Liniers dhe ia them gruas time shpesh. Të kthehem këtu do të ishte një ëndërr që shpresoj ta realizoj, por të ardhmes asnjëherë nuk i dihet, në futboll nuk mund të premtosh asgjë”.







