Trajneri gjerman i Mançester Junajtid, Ralf Rangnik, ka kërkuar që klubi të mos nënshkruajë me lojtarë të cilët nuk vaksinohen. Arsyet janë sepse ai nuk do të rrezikojë që disa sfida të mos luhen për shkak të COVID-19.

Javën e kaluar, Premier Liga zbuloi se 16% e lojtarëve nuk kanë marrë asnjë dozë vaksinimi edhe pse rastet e reja me COVID-19 po rriten me shifra të larta. Mançester Junajtid ishte një prej ekipeve që u godit në Angli dhe dy sfidat e tyre me Brentford dhe Brajton u detyruan të shtyheshin.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, tekniku i “djajve të kuq” u shpreh: “Duhet marrë në konsideratë nënshkrimi me një lojtar që rrezikon të infektohet dhe mund të jetë i padisponueshëm për ekipin. Jo vetëm për 10 ditë, por kjo mund të ndodhë rregullisht në këtë periudhë.”

Rangnik e cilësoi rastin e Xhoshua Kimish si një shembull që duhet ndjekur. Gjermani për shkak të komplikacioneve dhe refuzimit për të marrë vaksinën nuk ka mundur të luaj asnjë ndeshje që nga fillimi i nëntorit. “Ju kishit shembullin e Joshua Kimish, i cili ishte jashtëzakonisht hezitues në fillim dhe mendoj se ndërkohë ai e ka kuptuar se mund të ishte një ide e mirë të vaksinohej.

Ai u kap me COVID, ai ka ende disa probleme me mushkëritë e tij. Shpresojmë se ai do të kthehet pas Krishtlindjeve, në vitin e ri, me fuqi të plotë dhe mund të luajë përsëri për Bajern Mynih. Mendoj se kjo është një çështje ku sigurisht çdokush mund dhe duhet të ketë vullnetin e tij të lirë, por mendoj se në futboll, veçanërisht në këtë nivel ku po luajmë, ne duhet të përpiqemi t’i bindim lojtarët tanë që të vaksinohen,” përfundoi tekniku 63-vjeçar.