Zërat e merkatos janë ato që nuk shuhen asnjëherë, e sidomos në muajin ku jemi që përkon me merkaton dimërore. Jashtë “vorbullës” së hyrjeve dhe daljeve të futbollistëve nuk qëndron as skuadra e Vllaznisë.
Kuqeblutë për momentin janë protagonistë vetëm në merkaton në dalje. Zyrtarisht ka lënë ekipin, Arlind Kalaja ndërsa rrugën e tij pritet ta ndjekin edhe disa lojtarë të tjerë.
Për njërin veçanërisht është diskutuar shumë në kohët e fundit. Po flasim për Mehdi Çobën. Sulmuesi 21-vjeçar ka interesin e disa skuadrave. Teuta është një ndër ekipet që ka shfaqur dëshirën për ta ofruar në ekip. Ndërsa në ditët e fundit është mësuar se një interes apo informacion për situatën e Çobës ka kërkuar edhe ekipi i Tiranës.
Bardheblutë që në sezonet e fundit po i japin shumë prioritet elementit të ri, shohin tek mëngjërashi një futbollist të së ardhmes. Oferta konkrete në drejtim të sulmuesit ende nuk ka, ndërsa interesimi është i madh për të. Madje edhe një klub kroat ka shfaqur interes për shkodranin.
Duket disi e çuditshme që një futbollist që nuk ka pasur edhe aq shumë minuta në këtë kampionat, ka kaq interes ndaj tij. Kjo edhe për cilësitë e Çobës, i cili sa herë ka zbritur në fushë ka arritur të tregojë vlerat e tij që kanë rënë në syrin e skuadrave të tjera.
Endri ÇINARI