Tirana dhe Vllaznia e mbyllën në barazim 0-0 përballjen e tyre të parë për vitin 2022. Një takim që u zhvillua në “Air Albania” për javën e 16-të të kampionatit.
Ndeshje që prodhoi një lojë të një niveli të kënaqshëm, ku dominuese ishte skuadra kuqeblu. Por përveç ndeshjes, përshtypje bëri edhe një episod në 15 minutat e fundit të pjesës së parë.
Mbrojtësi Behiratche në një duel me Aralicën, duket se godet këtë të fundit me grusht. Sulmuesi kroat shtrihet në tokë, e ndërsa menjëherë futbollistët dhe stafi i Vllaznisë kërkojnë ndëshkimin e futbollistit afrikan. Arbitri Jorgji vendos që ta shqyrtojë episodin me anë të pamjeve që ofron sistemi VAR.
Por pamjet që i ofrohen arbitrit elbasanas janë me të vërtetë konfuze. Kjo sepse i jepen vetëm nga larg dhe në asnjë moment kamera nuk e jep episodin e ndodhur nga afër, kjo edhe për ta qartësuar akoma edhe më tepër. Në fund , Jorgji vendos se nuk ka asgjë dhe vijon lojën.
Nga njëra anë nëse nuk ka pamje të tjera, kjo tregon që nuk ka një teknologji të avancuar në vendin tonë për një sistem të tillë. E nga ana tjetër, nëse duam të bëjmë pak “konspiracion”, duket si një dashakeqësi ndaj skuadrës së Vllaznisë. Kjo për të mos ndëshkuar me të kuq Behiratche.
Patjetër që askush nuk e mendon një gjë të tillë, por duke qenë se “mburremi” çdo javë se sistemet tonë të kamerave në stadiume krahasohen me kampionatet më të mira europianë, do ishte e mira që të ofroheshin pamjet e duhura për çdo episod që ndodh në fushën e lojës.
Endri ÇINARI