Dajan Shehi, pas një sezoni larg Vllaznisë, duke luajtur fillimisht me Partizanin dhe më pas me Skënderbeun, do të rikthehet në Shkodër ditën e sotme. Mbrojtësi elbasanas dhe drejtuesit kuqeblu kanë rënë dakord dhe lojtari do të udhëtojë gjatë ditës së sotme në qytetin e Shkodrës, për të firmosur zyrtarisht kontratën e re, e cila do të jetë 1+1.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi u shpreh se ka bërë zgjedhjen e duhur, ndërsa theksoi se njeriu mëson edhe nga gabimet, duke u penduar kështu edhe në një farë mënyrë për largimin nga Vllaznia.
“Kemi rënë plotësisht dakord dhe sot do të kryejmë edhe formalitetet e kontratës, ndërsa më pas do të bashkohem me ekipin në stërvitje.
Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur, edhe pse kisha disa opsione të tjera brenda Superiores dhe në Kosovë. Shkodra dhe Vllaznia janë në zemrën time. Mendoj se njeriu mëson edhe nga gabimet.
Me Vllazninë kam kaluar vite të bukura dhe besoj se do të bëj të njëjtën gjë edhe në vazhdim”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi më i ri i Vllaznisë, Dajan Shehi.
Maringlen ZHIVANI