Pavarësisht zhurmës së bërë dy ditët e fundit, Vllaznia do ta luajë ndeshjen e saj të rradhës, atë ndaj Ilirisë, pasditen e së shtunës në fushën sportive “Reshit Rusi”. Ndërkohë Veleçiku do të jetë I detyruar të gjejë një fushë tjetër për të luajtur ndaj Shënkollit.

Kështu është vendosur nga Federata Shqiptare e Futbollit e cila prej dy ditësh mësohet të ketë lajmëruar drejtuesit e Veleçikut për të gjetur një fushë tjetër për të luajtur ngaqë në “Reshit Rusi” do të luajë Vllaznia.

Në këtë mënyrë, ka marrë fund edhe kjo dilemë në lidhje me këtë çështje e cila ka marrë vëmendjen e duhur edhe në media ditët e fundit sepse koplikasit pretendonin që kanë kontratë me Bashkinë Shkodër për t’I luajtur të gjitha ndeshjet në këtë fushë.

Megjithatë luajtja e Veleçikut në “Reshit Rusi” dhe shtegtimi I Vllaznisë në një qytet tjetër nuk kishte logjikë. Ndërkohë në kampin shkodran ka vijuar puna për ta përgatitur ashtu si duhet sfidën e rradhës.

Stafi teknik dhe futbollistët janë të bindur se do ia dalin me sukses edhe në këtë takim. Për më tepër që përballë tyre do të jetë Iliria, njëri prej dy ekipeve të vetme që I ka mundur këtë kampionat dhe padyshim që është një arsye më shumë për ta mundur.