...
HomeKRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e talentit të madh të Vllaznisë së viteve '80,...

ALMANAK/ Sot ditëlindja e talentit të madh të Vllaznisë së viteve ’80, Lulzim Bërsheni

Në gjysmën e dytë të viteve ’80 filloi të mahnisë të gjithë me klasin dhe talentin e tij që shfaqte në fushat e blerta. E kemi fjalën për Lulzim Bërshenin. Ai ka lindur në Shkodër më 24 prill të vitit 1967 dhe pasi spikat me ekipin e të rinjve, kalon me të rriturit e Vllaznisë në periudhën kur në krye të tij vjen trajneri Astrit Hafizi.

Do të fitojë shpejt një vend në formacion dhe në fushë tregon vlera të larta teknike, çka e evidentojnë atë si një nga më të talentuarit dhe është pjesë e skuadrës që do të fitonte Kupën e Republikës në vitin 1987.

Shumëkush e mban mend ndoshta për atë supergol që i pat shënuar Dinamos në një ndeshje në Tiranë, por Lul Bërsheni ka shënuar edhe të tjerë. Ka dhënë asiste dhe gjëra të bukura në fushën e lojës.

Por jo për shumë kohë. Siç dihet, ai do të bëhej protagonist i një ngjarje që bëri bujë në Shqipërinë e atyre viteve. Pas kthimit nga Finlanda ku Vllaznia luajti ndaj Rovaniemit në ndeshjet e Kupave të Europës, bashkë me portierin Arvid Hoxha vendosin të arratiseshin.

Gjatë kthimit për në Shqipëri, ata ndahen me ekipin në Greqi, për të mos u kthyer më në këtë vend. Një veprim që solli pasoja mbi familjen e tij në Shkodër, megjithatë Luli ishte i vendosur për ta çuar deri në fund ëndrrën e tij të madhe.

Ndryshe nga Hoxha që zgjedh të largohet drejt Amerikës, Bërsheni vendos të qëndrojë në Greqi, aty ku dhe luan për disa vite me ekipin Panionios. Talenti nuk i mungonte por ndoshta përkushtimi jo i duhur për të bërë edhe karrierë.

Ndërkohë prej disa vitesh punon si trajner moshash në shtetin fqinj, ndërsa në Shkodër ende e adhurojnë për atë klas që pat shfaqur në fushat e blerta, ndonëse luajti vetëm për pak kohë me Vllazninë, prej së cilës u largua vetëm 20 vjeç.

Lulzim Bërsheni sot feston 56 vjetorin e tij te lindjes dhe me kete rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura Lulzim Bërshenit i cili mbetet një nga emrat simbol të Vllaznisë së viteve ’80.
Gjergj KOLA

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

Seraphinite AcceleratorOptimized by Seraphinite Accelerator
Turns on site high speed to be attractive for people and search engines.