Vllaznia në basketboll për femrave e ka nisur me humbje kampionatin. Javën e parë sipas kalendarit, ajo e ka patur pushim, ndërsa ditën e djeshme ka luajtur ndaj Partizanit në kryeqytet, pikërisht në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Vajzat e ekipit të kuq kanë triumfuar me rezultatin 79-63.

Duhet thënë se ekipi shkodran është munduar të bëjë më të mirën dhe ndonëse Bernada Rreshpja shënoi plot 26 pikë (ishte pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes), kjo nuk mjaftoi për t’u kthyer me fitore nga Tirana.

Perioda e parë ka patur shumë rivalitet dhe në fund janë fiksuar shifrat 19-17 për Partizanin. Nuk do të ndodhte kështu në periodën e dytë kur Vllaznia e drejtuar nga trajnerja Medina Mustafa nuk u shfaq ashtu si duhet në fushë dhe si rrjedhojë vendaset e fituan me shifrat 28-10.

Kaq mjaftoi që në dy periodat e fundit të mos ketë më histori. Ato do të fitoheshin nga ekipi shkodran 20-17 dhe 16-15, por që nuk ndikoi në rezultatin përfundimtar të ndeshjes dhe si rrjedhojë i gjithë takimi u fitua nga Partizani me një diferencë prej 16 pikësh në favorin e tij.

PARTIZANI- VLLAZNIA 79-63
(19-17, 28-19, 17-20, 15-16)

VLLAZNIA: Haka (5), Dashja (14), Rreshpja (26), Mel. Hykaj (9), Kryeziu (6), Isufi (2), Demaj, Dibra, Isaj. Trajnere: Medina Mustafa.