Nga Gjergj KOLA
Në historinë e sportit shkodran janë të shumta emrat që kanë kontribuar për Vllazninë dhe për fat thuajse në të gjithë llojet e sporteve kemi patur kampionë të mëdhenj. Sot do të ndalemi tek një personazh i cili ka një të veçantë: Ai është shpallur kampion i Shqipërisë në dy lloje sportesh, fillimisht në peshëngritje dhe më pas edhe në mundje.
E kemi fjalën tek Gjovalin Çuni, një figurë e njohur më pas edhe si trajner. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 84 vjetorit të lindjes së tij dhe për këtë arsye është momenti i duhur për ta rikthyer në vëmendje, në shenjë respekti për kontributin e tij të madh në sport.
Ka lindur në vitin 20 tetor të vitit 1941 dhe karrierën e nisi si peshëngritës ku arrin normën e Mjeshtrit të Sportit, që ishte një rezultat i lartë dhe përveç kësaj, arrin të shpallet një vit kampion. Karrierën e nisi herët me Vllazninë por më pas kalon tek Partizani kur shkon ushtar. Me të shpallet nënkampion në peshën gjysëm të mesme, shkruan shkodrasport.com
Rikthehet në Shkodër dhe i bashkohet përsëri Vllaznisë me të cilën shpallet kampion i Shqipërisë në vitin 1968 duke konkurruar në peshën -82.5 ku arrin të ngrejë 275 kg në dygarësh. Kaq sa i takon sportit të peshëngritjes por ndërkohë, Gjovalin Çuni është marrë edhe me mundje, madje aty ka qenë më i suksesshëm.
Në finalet e Spartakiadës së Parë Kombëtare në vitin 1959, ai zë vendin e parë. Po ashtu, shpallet kampion i Shqipërisë në vitin 1960, 1963 dhe 1966 duke konkurruar në stilin klasik. Pra, tre tituj kampion në mundje, çka i japin atij titullin “Mjeshtër Sporti”, raporton shkodrasport.com
Në rininë e tij ka marrë pjesë edhe në gara të ndryshme gjimnastike, një tjetër sport i preferuar për të, duke arritur të shpallet deri kampion i qytetit por pa shkuar dot më tej. Pas lënies së sportit, nis rrugëtimin e tij të gjatë si trajner.
E fillon si trajner peshëngritje, më pas është trajner në mundje, nga duart e Gjovalinit do të dalin kampionë si Bajram Gruda e Agim Onuzi. Ndërkohë me fillimin e viteve ’90 dhe rihapjen e boksit në Shkodër, ai është një tjetër sport i preferuar i tij dhe bëhet edhe aty trajner.
Nga duart e tij kanë dalë disa sportistë të talentuar duke veçuar mbi të gjithë Sokol Buliqin. Kjo është historia e Gjovalin Çunit, sportistit polivalent që është ndarë nga jeta më 9 dhjetor të vitit 2018, duke lënë pas një emër shumë të mirë për kontributin e tij në sport.(www.shkodrasport.com)