Në Lezhë e kanë marrë shumë seriozisht punën për rikthimin e Besëlidhjes sërish në nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Kuptohet që kjo gjë kërkon kohën e vet, megjithatë planet janë duke u bërë. Fillimisht është ndërhyrë tek skuadra.

Bashkia Lezhë dhe biznesmeni Pjerin Fushaj kanë arritur një marrëveshje për të investuar tek skuadra dhe kjo ka nisu në mënyrën më të mirë të mundshme. Synimi aktual është që në fund të këtij sezoni, Besëlidhja të ngjitet në kategorinë e parë, por kjo do të jetë vetëm hapi i parë.

Kryebashkiaku Ndreu e ka bërë të qartë se objektivi është rikthimi i kësaj skuadre në elitën e futbollit shqiptar. Por një arritje e tillë në aspektin sportiv, kërkon një mbështetje edhe në aspektin e infrastrukturës.

Prej kohësh po flitet për prishjen e stadiumit aktual të Lezhës dhe ndërtimin e një të riu jashtë qytetit. Megjithatë deri më tani ka qenë enigëm vendi se ku është planifikuar ndërtimi i stadiumit të ri. Në fakt ka patur disa opsione, por së fundi në Bashki mesa duket e kanë ndarë mendjen.

Gazeta “Shkodra Sport” mëson se vendi i menduar për stadiumin e ri është FISHTA. Kjo sepse aty është një tokë e lirshme në pronësi të Bashkisë Lezhë dhe nuk do të ketë asnjë pengesë për të bërë këtë investim. Kujtojmë që Zadrima është shndërruar në një zonë shumë të preferuar për shkak të investime të shumta që janë bërë në agroturizëm dhe ndërtimi edhe i një stadiumi aty, do t’i jepte dhe më shumë rëndësi asaj.(www.shkodrasport.com)