Nga Endri ÇINARI
Pavarësisht pozicionit në tabelë dhe formës aktuale që po kalon Tirana, skuadra bardheblu ngelet rivali i përjetshëm për tifozët shkodranë. Duelet kundër kryeqytetasve janë gjithmonë më të ndjerat për ambientin futbolldashës në Shkodër. Duke kujtuar edhe rivalitetin që ka pasur gjithmonë mes dy skuadrave, por edhe tifozerive. Edhe kësaj rradhe, ditën e premte në orën 17:00, mbështetësit shkodranë priten në numër më të madh se zakonisht në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”.
Kjo edhe si pasojë e formës së mirë që po kalon Vllaznia, me kuqeblutë që kanë 3 fitore rradhazi ne kampionat dhe kërkojnë të katërtën ndaj Tiranës. E në këtë duel një “armë” plus pritet të jenë edhe tifozët, me “Vllaznit” ultras në krye të cilët edhe nëpërmjet një njoftimi në rrjetet e tyre sociale bëjnë me dije se marshimi drejt stadiumit nis që në orën 15:00.
Kjo për të treguar qartazi rëndësinë që ka për tifozët ky duel, ku nga ana e tyre priten edhe surpriza në stadium me anë të keorografive që mund të dhurojnë. Po ashtu në këtë ndeshje nuk pritet të mungojnë as tifozët nga Tirana, të cilët do jenë në mbështetje të skuadrës së tyre.
Dhe pavarësisht se “klasikja” ndoshta e ka humbur disi “sharmin” e viteve të arta të dy klubeve, sërish ngelet një nga ndeshjet më të rëndësishme dhe prestigjoze të kampionatit shqiptar. Ku përballë do jenë dy klubet më të vjetra në vend dhe interesi i tifozerisë pritet të jetë më i madh se zakonisht në stadiumin “Loro Boriçi” këtë të premte në orën 17:00.(www.shkodrasport.com)