Nga Endri ÇINARI
Edhe në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës, Vllaznia vuajti mungesën e disa futbollistë kryesorë për shkak të dëmtimeve. Reparti më i “goditur” në rradhët e shkodranëve ishte mesfusha, me emra si: Qato dhe Dros të cilët nuk ishin as në stolin e ekipit.
E ndërsa Murataj pavarësisht se ishte në stol, nuk u rrezikua për t’u hedhur në fushë, padi fantazisti ende nuk gëzon 100% të formës së tij fizike. Megjithatë në duelin ndaj bardhebluve, mungesa e të sipër përmendurve në fushën e lojës u ndje shumë pak.
Kjo edhe falë performancës së atyre që zbritën si titullarë në klasike ndaj kryeqytetasve. E pikërisht një nivel për t’u duartrokitur në ndeshjen më të vjetër të kampionatit tonë shfaqi edhe Eslit Sala. Mesfushori energjik i kuqebluve bëri kilometra pafund në ndeshjen kundër Tiranës.
Duke qenë shumë i domosdoshëm për skuadrën në duelet në mesfushë e patjetër duke dhënë një “dorë” edhe në prapavijë në momentin kur skuadra ngeli me 10 futbollistë në fushë pas daljes me karton të kuq të Kuros që në minutën e 52-të të takimit. Në këtë mënyrë Sala ishte një “garanci” totale për trajnerin Martini, i cili e la 25-vjeçarin në fushë deri në vërshëllimën finale të takimit. Për numrin “8-të” kjo ishte ndeshja e dytë rradhazi si titullar në fushë, pas duelit edhe me Bylis.
Ku niveli i shfaqur nga ai patjetër ka kënaqur stafin teknik, e për mesfushorët e tjerë të skuadrës është një “sfidë” e hapur për një vend titullari. Ku në mesfushën e Vllaznisë përsa i përket këtij reparti ka një konkurencë të madhe, me të gjithë lojtarët që kanë cilësi dhe mund të japin kontributin e tyre për skuadrën kuqeblu.(www.shkodrasport.com)







