Njëri nga mesfushorët më të mirë të të gjitha kohërave, Luka Modric, ka zbuluar pesë futbollistët e tij të preferuar, që ai i konsideron si më të mirët në histori.
Në një intervistë për mediumin spanjoll AS, kroati befasoi opinionin publik me përzgjedhjet e tij, duke lënë jashtë dyshen ikonike Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, të cilët prej vitesh kanë dominuar futbollin botëror.
Modric, i cili aktualisht është kapiten i Kroacisë dhe lojtar i Milanit, filloi listën e tij me legjendën argjentinase Diego Armando Maradona, duke e cilësuar atë si simbol të pasionit dhe artit në futboll.
“Është gjithashtu Francesco Totti, braziliani Ronaldo, Zvonimir Boban i cili ishte idhulli im dhe sigurisht Zinedine Zidane”, u shpreh Modric për gazetën AS.
Lista e tij reflekton më shumë emocionin dhe ndikimin personal që kanë pasur këta futbollistë te ai gjatë viteve, sesa thjesht statistikat apo trofetë e fituar.
Modric u largua nga Real Madridi këtë verë pas 12 sezoneve të lavdishme, gjatë të cilave fitoi gjithçka që mund të fitohej në futbollin evropian, përfshirë pesë tituj të Ligës së Kampionëve dhe Topin e Artë në vitin 2018.
Ai më pas u transferua te Milani, ku po tregon ende nivel të lartë performance. Në Itali, 38-vjeçari është votuar si lojtari më i mirë i muajit shtator në Serie A, duke dëshmuar se klasa dhe ndikimi i tij në fushë mbeten të paprekura, pavarësisht moshës.







