Lajmi i bërë publik pak ditë më parë nga “The Sun”, sipas të cilit një lojtar i Premier League është kërcënuar me pistoletë nga një menaxher futbollistësh në rrugët e Londrës është i vërtetë pasi sot BBC ka zbuluar edhe identitetin e viktimës.

Sipas BBC bëhet fjalë për lojtarin e Tottenham, Destiny Udogie. Ky i fundit është kërcënuar nga një menaxher futbollistësh më 6 shtator në Londër.

Deri më tani është mësuar se menaxheri, i cili kuron interesat e një lojtari të kombëtares angleze, ka kërcënuar edhe dikë tjetër.

Policia e Londrës ka bërë me dije se më 8 shtator ka ndaluar një person pas denoncimit të bërë prej lojtarit. Menaxheri, i cili ka arritur që të marrë lirinë me kusht, akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe kanosje.