✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznisë i “shpëtuan” 3 pikët dhe fitorja vetëm 4 minuta para përfundimit të ndeshjes ndaj Egnatias. Ku në kuadër të javës së 10-të, rrogozhinasit barazuan në minutën e 86-të të takimit kundër shkodranëve falë një goli të Jaime. Rrjetë që sërish lë kuqeblutë në vendin e parë me 20 pikë, por tashmë të barazuar nga Elbasani në të njëjtën kuotë pikësh. Dhe pas dyshes ndjekin Egnatia me 19 pikë dhe Dinamo me 18 të tilla.
Për t’u kthyer tek Vllaznia sipas statistikave, ato tregojnë se në të gjitha ndeshjet ku kuqeblutë nuk kanë mundur të marrin 3 pikët, janë ndëshkuar me gol gjithmonë në 15 minutat e fundit të lojës. Kështu duke nisur nga humbja e parë sezonale kundër Dinamos në shifrat 3-1, ekipi i Martinit pësoi golin e tretë dhe të nokautit në minutën e 83-të të ndeshjes. Po ashtu në barazimin 1-1 ndaj Teutës në Durrës, Vllaznia e “pësoi” nga një gol i bregdetarëve në minutën 90+6 të shtesës.
Edhe në humbjen ndaj Flamurtarit, shkodranët u ndëshkuan sërish në 15 minutat e fundit të takimit. Duke pësuar gol në minutën e 76-të, me rezultatin 1-0 në favor të vlonjatëve që nuk ndryshoi deri në fund. E po ashtu edhe së fundmi ndaj Egnatias në barazimin 2-2, kuqeblutë u ndëshkuan sërish në minutat e fundit. Duke mos arritur të dilnin fitimtarë nga dueli direkt me kampionët e vendit në fuqi.
Kështu ndoshta edhe nga konsumimi i madh i energjive falë edhe stilit sulmues që aplikon skuadra apo edhe nga ndonjë shpërqendrim i minutave finale, shkodranët kanë shfaqur këtë problematikë në duelet ku nuk kanë mundur të marrin pikët e plota. Duke u ndëshkuar gjithmonë në 15 minutat e fundit të takimit, e duke treguar kështu ndoshta një “pikë të dobët”, që është shfrytëzuar nga kundërshtarët. E patjetër që duhet përmirësuar në javët e ardhshme nga ana e 9 herë kampionëve të vendit tonë.
️Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”
Data e publikimit: [06/11/2025]







