Fatmir Paçrami, mjeshtër sporti dhe një nga figurat e shquara të Vllaznisë së viteve ’70–’80, ku u shpall edhe dy herë kampion me kuqeblutë, ka dhënë së fundmi një intervistë për “Panorama Sport”.

Në moshën 72-vjeçare, Paçrami mbetet gjithmonë pranë futbollit, duke u angazhuar te klubi Shiroka si vëzhgues talentesh dhe këshilltar i skuadrës. Në këtë bisedë, ai flet për përvojën e tij të re, por edhe për ecurinë e Vllaznisë, duke besuar se ky sezon mund të jetë “viti i artë” për rikthimin e titullit kampion në Shkodër.

“Dashuria për futbollin nuk shuhet kurrë”

– Profesor, gjithmonë pranë futbollit, tashmë edhe me angazhimin tuaj te klubi Shiroka, apo jo?

Epo, dashuria për futbollin për mua nuk shuhet kurrë. Jam mirënjohës ndaj drejtuesve të Shirokës që më bënë këtë ftesë, të cilën e pranova me kënaqësi. Po mundohem t’i ndihmoj me eksperiencën dhe dijet e mia. Edhe pse është një klub i ri, ka ambicie të mëdha. Këtë sezon po luan në Kategorinë e Dytë dhe ka 12 pikë pas 5 javësh, duke qenë pretendent për ngjitjen në Kategorinë e Parë. Ka ende rrugë dhe vështirësi, por projekti është serioz dhe me përkushtim mund të arrihet suksesi.

“Në kategoritë e ulëta ka lojtarë shumë të mirë”

– Ka futbollistë cilësorë në këto kategori?

Absolutisht që po. Në këto nivele luajnë shpesh futbollistë që, për arsye të ndryshme, nuk kanë pasur mundësinë të “çajnë” në Superiore. Tek Shiroka, për shembull, ka lojtarë me eksperiencë në Superiore si Vucaj, apo të tjerë si Dibra dhe Ruqi, që kanë spikatur për vite në Kategorinë e Parë. Për të mos harruar edhe të huajt që janë afruar, të cilët, sipas meje, bëjnë diferencën në kampionat.

“Barazimi me Egnatian? Mund të ishte fitore”

– Kalojmë te Superiorja dhe Vllaznia konkretisht: si e patë ndeshjen e fundit me Egnatian?

Ishte një ndeshje me nivel shumë të mirë dhe kënaqshme nga të dyja skuadrat. Janë ekipe ndër më kryesoret dhe pretendente, së bashku me Dinamon dhe Elbasanin, dhe dhuruan futboll cilësor. Vllaznia po shfaq vazhdimësi në stilin që aplikon, pavarësisht kundërshtarit. Ndoshta mund të arrinte diçka më shumë se barazimi në këto 90 minuta.

– Ishte “mëkat” që skuadra humbi dy pikë në fund?

Po, mund të themi që ishte “gjynah”, siç themi ne në Shkodër (qesh). Ekipi po luante mirë, kujdesej për mbrojtjen dhe kundërsulmonte rrezikshëm, ndërsa kundërshtari kishte mbetur me një lojtar më pak. Duhej administruar më mirë, por futbolli i tillë është. Goditja e dënimit që solli barazimin ishte e shkëlqyer dhe s’fajësoj askënd, as portierin. Ishte meritë individuale e futbollistit kundërshtar.

“Vllaznia të mos stepet, ky stil sulmues na kishte munguar”

– Çfarë do të këshillonit për përmirësim te ekipi?

Nuk kam ndonjë vërejtje të madhe, sepse në tërësi ekipi po luan mirë. Sigurisht, ka gjëra që duhen rregulluar — asnjë skuadër s’është perfekte. Por skuadra po vjen në rritje javë pas jave. Do të shtoja vetëm një gjë: të vazhdojë me këtë stil sulmues dhe të mos stepen, sepse kishim vite që nuk shikonim një lojë të tillë nga Vllaznia. Po ashtu, të qëndrojnë larg euforisë dhe zhurmës mediatike. Deri tani më pëlqen që ekipi është me këmbë në tokë dhe i merr ndeshjet njëra pas tjetrës.

“Merita kryesore i takon Edi Martinit”

– Kujt i takon merita që Vllaznia po shprehet kaq bukur në fushë?

Në radhë të parë trajnerit Edi Martini. Ai ka meritën kryesore që Vllaznia është kthyer te loja e bukur dhe niveli i lartë që po shohim këto javë. Kishim kohë që nuk shihnim këtë futboll në Shkodër. Pa harruar drejtorin Sinani dhe presidencën, që kanë krijuar kushtet dhe kanë sjellë në ekip futbollistë cilësorë e me eksperiencë, të aftë të ndihmojnë në objektivat madhorë.

“Është koha që titulli të kthehet në Shkodër”

– A është ky sezoni i duhur që titulli të kthehet në Shkodër?

Uroj dhe besoj se po. Kanë kaluar shumë vite pa titull në Shkodër dhe kjo është e papranueshme për një qytet si Shkodra dhe një ekip si Vllaznia. Ky edicion po ecën në rrugën e duhur, megjithëse ende ka shumë punë përpara. Kjo skuadër ka cilësi dhe di të luajë futboll. Prandaj them se ky mund të jetë momenti i kthimit te titulli kampion.

“Në Shkodër nuk falet asnjë gabim”

– Dueli i radhës me Dinamon, një tjetër rival direkt. Vetëm fitorja vlen për Vllazninë?

Në shtëpi, Vllaznia nuk duhet të bëjë gabime, pavarësisht kundërshtarit që vjen në Shkodër. Mendoj se Vllaznia do të marrë 3 pikët dhe do të vazhdojë të kryesojë kampionatin.