Ditmar Bicaj u largua me karton të kuq nga gjyqtari Eldorjan Hamiti, ndërsa Lushnja humbi me rezultatin 2-1 ndaj Laçit. Trajneri i Lushnjës ia faturoi humbjen gjykimit duke kërkuar edhe reagim nga organet kompetente. FSHF njoftoi dje ndërkohë se Bicaj dënohet me katër ndeshje pezullim, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
E gjitha kjo ka ardhur pas deklaratave të ashpra që tekniku lezhjan ka lëshuar në përfundim të ndeshjes ndaj arbitrit po nga ky qytet Eldorian Hamiti. Ja si është shprehur numri 1 i pankinës lushnjare:
“Më vjen keq, mbi të gjitha, për mënyrën e gjykimit. Unë nuk merrem zakonisht me gjyqtarët, por më vjen shumë keq kur shikoj veprime tendencioze ndaj ekipit të Lushnjës.
Rasti i minutës së 83-të, dhe mbi të gjitha ai i minutës së 96-të, kur nuk u akordua një penallti e pastër, madje edhe vetë kundërshtarët e pranuan se ishte penallti. Pastaj nuk kemi më të bëjmë me futboll. Uroj që ky rast i takimit të sotëm (djeshëm) të shqyrtohet nga organet kompetente, sepse gjyqtarë të tillë nuk i bëjnë mirë futbollit.
Dashje pa dashje, ata përshkallëzojnë situatën mes dy klubeve dhe dy qyteteve. Ne jemi për futboll “fair play”, për futboll ku të fitojë më i miri. Barazimi do të ishte rezultati më i drejtë. Por kur shikoj që ndërhyn gjyqtari me veprimet e tij, atëherë kjo është dashakeqësi”, u shpreh Bicaj.


