✍️ Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Forma e shkëlqyer e sulmuesit të Shirokës, Gabriel Olamide Ogungbire, ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave në Superligë dhe jo vetëm.
Futbollisti nigerian, i cili ka qenë protagonist absolut në këtë fillim sezoni me 6 gola të shënuar, po kthehet në një nga emrat më të kërkuar të Kategorisë së Dytë.
Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se ditën e djeshme në fushën sportive “Reshit Rusi”, gjatë ndeshjes Shiroka-Sopoti, kanë qenë të pranishëm përfaqësues të tre ekipeve, mes tyre edhe menaxherë të huaj, të cilët kanë ardhur posaçërisht për të ndjekur nga afër paraqitjen e sulmuesit 23-vjeçar.
Olamide po spikat me fuqinë fizike, shpejtësinë dhe instinktin e golit, duke u bërë një pikë referimi për ofensivën e Shirokës.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, transferimi i tij në Kategoritë më të larta duket vetëm çështje kohe.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







