Prania e Lionel Messit në Barcelonë dhe postimi i tij nostalgjik nga “Spotify Camp Nou” ka ndezur ëndrrat e tifozëve për një rikthim të mundshëm. Dhe kjo nuk është e pamundur, falë asaj që njihet si “klauzola Beckham”, e cila lejon huazime të përkohshme të lojtarëve të MLS gjatë pushimit të kampionatit amerikan.
Sezoni i MLS zhvillohet nga shkurti deri në tetor, me “playoff”-et që përfundojnë në fillim të dhjetorit. Gjatë kësaj periudhe, lojtarët mund të huazohen për rreth tre muaj, nga dhjetori deri në fund të shkurtit, pa prishur kontratën me klubin e tyre amerikan. Kjo do t’i mundësonte Barcelonës ta kishte Messin në një fazë vendimtare të sezonit.
Raste të ngjashme janë parë më parë me Beckham, Henry, Robbie Keane dhe Donovan. Në postimin e tij, Messi shkroi “mbrëmë u ktheva në një vend që më mungon me gjithë shpirt… Shpresoj të mund të kthehem një ditë”, duke lënë të hapur mundësinë e një rikthimi emocional në klubin e jetës së tij.







