Viktor Da Silva është mungesa që ka rënë në sy përgjatë tri ndeshjeve të fundit te Partizani. Braziliani që u afrua në verë nuk është vendosur në dispozicion të trajnerit Kërnaja, i cili prej më tepër se një muaji po punon me stafin e tij tek ekipi i parë. “Panorama Sport” mëson se Da Silva reklamoi probleme me gjurin, për këtë prej shumë ditësh nuk qëndron i bashkuar me pjesën tjetër të grupit.
KËRNAJA- Trajneri i “demave” e preferoi për herë të parë si titullar Da Silvën, që me Milinkoviç nuk kishte pasur hapësira të shumta. Më saktë në katër ndeshje luajti vetëm 81 minuta. Aktivizimi i tij i parë si titullar nga Kërnaja, erdhi që në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Më pas në takimin e radhës me Egnatian, nuk mori asnjë minutë dhe qëndroi në stol. Nga data 29 tetor ku u luajt derbi me Dinamon dhe deri te sfidat me Vorën dhe Teutën, Da Silva nuk ka qenë i gatshëm për skuadrën as si zëvendësues.
SHQETËSIMI- Problemet me gjurin duket se kanë ndikuar, që braziliani të humbasë ndeshje të rëndësishme. Për këtë edhe nuk ishte në dispozicion të skuadrës, pikërisht atëherë kur nevojitej më tepër. Duhet thënë se 30-vjeçari po punon i diferencuar aktualisht, me objektivin për të qenë gati ndaj Vllaznisë. Përballë kuqebluve qëndron si “ish”, pasi pikërisht ata e sollën në Shqipëri në vitin 2020.
E NGJASHME- Da Silva kalonte një situatë të ngjashme te Partizani në sezonin 2022/23, kur të kuqtë fitonin titullin kampion. Shqetësimet që reklamonte e penguan për disa ndeshje në të njëjtën periudhë të sezonit. Ndërkohë në pjesën e dytë u kthye në lojtar kyç për fitimin e titullit. Mori minuta në 26 ndeshje dhe ia doli të shënojë 13 gola si dhe të asistojë pesë të tjerë. Prej atëherë këto statistika nuk janë përsëritur nga një tjetër futbollist i Partizanit. Ndarja me klubin e kuq erdhi në edicionin pasardhës, pasi Da Silva nuk pati marrëdhënie të mirë fillimisht me Zoran Zekiç. Ishdrejtori sportiv Arbër Abilaliaj qëndronte në krye si trajner pas largimit të kroatit, dhe Da Silva mori valixhet në dhjetorin e vitit 2023.
KONTRATA- Partizani e prezantoi Da Silvën si transferim surprizues, para zyrtarizimit të Mladen Milinkoviç. Da Silva firmosi për një edicion, me opsion rinovimi edhe një tjetër. Me këtë ritëm duket e vështirë që bashkëpunimi të vazhdojë. Hapësirat për Da Silvën nuk janë parë të shumta, po ashtu as kontributi i tij në fushën e blertë. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë përmbysje të situatës që shfaqet. 30-vjeçari është futbollisti i dytë me moshë më të madhe në skuadër, pas kapitenit Alban Hoxha.







