✍️ Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Fakel Voronezh ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Saratov, duke triumfuar me rezultatin minimal 0-1 në javën e 19-të të FNL ruse.
Heroi i ndeshjes ishte sulmuesi shkodran Belajdi Pusi, i cili realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 42-të, nga pika e bardhë e penalltisë.
Me këtë fitore, Fakel ruan kreun e renditjes me 42 pikë, duke vazhduar sezonin mbresëlënës. Pusi konfirmoi edhe një herë formën e tij të mirë, duke qenë vendimtar në një transfertë të vështirë dhe duke i dhënë skuadrës tri pikë tepër të vlefshme.
Goli i shënuar sot nga sulmuesi shkodran është i 11-ti për të në kampionatin e sivjetëm dhe si rrjedhojë me këtë shifër ai kryeson i vetëm edhe renditjen e golashënuesve më të mirë të kampionatit të Ligës së Parë ruse të futbollit dhe duket se do të jetë një nga kandidatët më të fortë për fitimin e “Këpucës së Artë”.
Ish- sulmuesi i Vllaznisë dhe i Skënderbeut po kalon momentin më të mirë të karrierës së tij dhe sigurisht që prej tij presim edhe të tjerë gola që do të ndihmojë edhe Fakel të ngjitet në Superligën e Rusisë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







