Të pafat futbollistët shkodranë. Ato kanë humbur me penallti ndeshjen finale të kampionatit të futsallës së këtij sezoni, atë ndaj Flamurtarit që kësisoj është shpallur kampion i Shqipërisë. Megjithatë, stafi dhe futbollistët e Vllaznisë në fund të takimit kanë lëshuar akuza të rënda ndaj gjykimit të ndeshjes që sipas tyre, ka ndikuar në rezultatin e saj.Ndeshja është luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të Tiranës.

Takimi në kohën e rregullt ka përfunduar në barazim 3-3. Në fakt, Vllaznia futsall ka qenë në avantazh 3-1 në pjesën e dytë dhe u duk se ajo do të shpallej kampione për nga mënyra si po luante. Por në minutat e fundit gjërat do të ndryshonin. Dy faulla të paqëna të dhëna nga arbitrat e ndeshjes, shoqëruar edhe me dy kartona të verdhë, kanë sjellë tension tek kuqeblutë e trajnerit Celufaj. Pikërisht nga kjo kanë përfituar vlonjatët që kanë shënuar golin e dytë ndërsa në minutën e fundit edhe të tretin duke barazuar gjithçka dhe duke e çuar ndeshjen në shtesë. Dy shtesat e akorduara nuk kanë sjellë ndryshim rezultati dhe për këtë arsye, dy skuadrat i janë drejtuar penalltive në të cilat më të saktë kanë qenë futbollistët e Flamurtarit që kësisoj kanë fituar dhe janë shpallur kampionë të Shqipërisë për sezonin 2016-2017. Nga ana e tyre shkodranët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj përfaqësuesve të Federatës për mënyrën e arbitrimit të ndeshjes që sipas tyre ndikoi në përcaktimin e skuadrës kampione të këtij sezoni. Keqardhje sepse Vllaznia këtë vit ka qenë më pranë se asnjëherë tjetër fitimit të titullit kampion por edhe këtë herë kjo nuk u arrit.

www.shkodrasport.com