✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Një fakt që gëzon tek Vllaznia në rivijimin e kampionatit është fakti se grupi i futbollistëve kuqeblu tashmë është i plotësuar në 100% të tijin. Kjo për faktin se me skuadrën tashmë janë bashkuar edhe Çarls Bismark dhe Kristian Dros, që kishin disa javë që qëndronin jashtë fushave të blerta. Si sulmuesi ashtu edhe ish-mesfushori i Elbasanit kanë qenë pjesë e seancave stërvitore së fundmi. Me Bismark i cili ka marrë ngarkesën e plotë dhe të zakonshme të një stërvitjeje.
Teksa Dros ka zhvilluar disa vrapime individuale, duke mos u përfshirë edhe aq shumë në manovrat me futbollistët e tjerë. Megjithëse deri në përfundimin e kësaj jave, ku do luhet edhe ndeshja me Partizanin, moldavi pritet të jetë në 100% të tijin dhe pjesë e kuqebluve në duelin ndaj “demave”.
Rikthimi i të gjithë lojtarëve bën që momentalisht infermieria tek Vllaznia të jetë e boshatisur. Me 9 herë kampionët e vendit tonë që kanë vuajtur shumë me dëmtimet e lojtarëve deri në këtë pikë ku ndodhet sezoni i Superiores.
Ku emra si: Jukaj, Kuros, Bajrami, Krymi, Murataj, Bismark, Qato apo edhe Dros kanë munguar herë pas here për kuqeblutë. E në këtë mënyrë grupi nuk ka qenë kurrë i plotë për Edi Martinin, i cili në prag të javës së 12-të të kampionatit ka mundësi përzgjedhjeje për formacionin. Me gjithë futbollistët që tashmë janë në dispozicion të trajnerit 50-vjeçar të skuadrës së Vllaznisë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







