Shkruar nga Gjergj KOLA
Vitet kalojnë, por pasioni për futbollin vazhdon të jetë i madh për ish-futbollistin e Vllaznisë Klodian Samina. Ndonëse i ka mbushur 37 vjeç, shtatëlarti dëshiron të luajë sërish futboll dhe prandaj ditën e sotme është prezantuar tek skuadra e tij e re.
Bëhet fjalë për Olimpia Sant Agabio, e cila militon në kategoritë e ulëta të futbollit italian. Samina vlerësohet shumë tek kjo skuadër, por edhe vetë ai është shprehur i lumtur që do jetë pjesë e saj.
Por Samina nuk do të jetë shqiptari i vetëm tek ky ekip. Pjesë e tij është edhe ish- futbollisti tjetër i Vllaznisë Arsen Sykaj. Po ashtu, edhe drejtori sportiv është bajziani Ersid Pllumbaj, madje edhe presidenti është shqiptar, Ardian Dushaj.
Kujtojmë që Klodian Samina është një emër i njohur i futbollit shqiptar, i formuar tek Vllaznia ndërkohë që më pas ka luajtur edhe me ekipe si Bellasica (Bullgari), Bylis, Gramozi, Ermis Aradippou (Qipro), FC Lokarno (Zvicër), Vllaznia, Ascona, Besëlidhja, e për të vijuar më tej me disa ekipe italiane të kategorive të ulëta. Samina po ashtu ka qenë edhe pjesë e rregullt e formacionit të kombëtares U21 të Shqipërisë teksa ka treguar gjithmonë vlera me lojërat e tij.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


