Renditja e FIFA-s, që do të publikohet të mërkurën, do të vendosë përfundimisht vazot e skuadrave që do të jenë pjesë e play-off të Botërorit 2026.
Klasifikimi i muajit nëntor do të përdoret si bazë për shortin, i cili do të hidhet të enjten në orën 13:00 në Zvicër dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në TV Klan, që vitin e ardhshëm do të përcjellë edhe finalet e Botërorit 2026.
12 skuadrat e renditura të dytat në çdo grup do të ndahen në tre vazo, ndërsa në të katërtën do të jenë ato që vijnë nga edicioni i kaluar i Ligës së Kombeve. Shorti do t’i ndajë skuadrat në katër grupe, ku do të kombinohet vazoja e parë me të katërtën dhe e dyta me të tretën. Më pas do të luhen sfidat gjysmëfinale dhe finale.
Nga ndeshjet që do të zhvillohen në fund të marsit, katër skuadra do të kualifikohen për Kupën e Botës, duke treguar se gara është tepër e fortë, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën, të cilat pritet të jenë në të njëjtën vazo, atë të tretën.







