Kanë përfunduar ndeshjet e fazës 1/16 të Kupës së Shqipërisë 2025-2026 dhe janë përcaktuar çiftet e fazës 1/8. Nga ky raund u kualifikuan më tej Skënderbeu, Vora, Besa, Pogradeci, Laçi, Flamurtari, Burreli dhe Apolonia.
Në fazën 1/8 do të garojnë edhe ekipet e renditura nga vendi i parë deri në vendin e tetë në “Abissnet Superiore” për sezonin 2024-2025.
Faza 1/8 ka përcaktuar këto takime: Tirana – Skënderbeu, Teuta – Vora, Dinamo City – Besa, Vllaznia – Pogradeci, Bylis – Laçi, AF Elbasani – Flamurtari, Partizani – Burreli dhe Egnatia – Apolonia.
Siç shikohet, Vllaznia do të ndeshet me Pogradecin në këtë tur dhe sipas rregullores së FSHF, do të ketë vetëm një ndeshje dhe ajo do të luhet në Shkodër më 10 janar, çka padyshim që i jep shumë shanse kuqebluve për të kaluar në çerekfinalen e këtij kompeticioni.
Ndërkohë në çerekfinale pastaj do të ketë short të lirë dhe ndeshjet do të jenë me dy takime, vajtje- ardhje. Skuadra e Vllaznisë padiskutim që edhe në këtë kompeticion do të ketë pretendimet e veta për ta fituar këtë trofe.







