Shorti i hedhur për play-off-in europian të Botërorit ka sjellë emocione të mëdha për tifozët shqiptarë, pasi si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, kanë njihur kundërshtarët e marsit, të fortë, por jo të pamundur. Ndeshjet gjysmëfinale do të luhen më 26 mars, ndërsa finalet vendimtare më 31 mars.
Shqipëria në shortin e Grupit B do të ndeshet në gjysmëfinale me Poloninë, një kundërshtar me traditë të madhe në arenën ndërkombëtare. Robert Lewandowski dhe shokët e tij janë gjithmonë skuadër e rrezikshme, por Kombëtarja jonë ka treguar se mund të përballojë edhe emra të mëdhenj.
Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të përballen jashtë me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi më 31 mars, një finale e fortë, por e hapur për të gjitha skuadrat. Shqipëria do të ketë mundësinë të shkruajë një faqe historike, duke luftuar për pjesëmarrjen e parë në një Kampionat Botëror.
Kosova është vendosur në Grupin C dhe do të përballet me Sllovakinë. Dardanët kanë treguar progres të vazhdueshëm dhe karakter të fortë, ndaj edhe pse Sllovakia është ekip i konsoliduar, ndeshja mbetet e hapur. Një paraqitje e disiplinuar dhe me vendosmëri do të jetë kyçe për të synuar finalen.
Nëse Kosova arrin të kalojë, më 31 mars do të luajë kundër fituesit të ndeshjes Turqi – Rumani. Dy kundërshtarë me nivel të lartë, por jo të pakalueshëm për Kosovën, e cila, në ditën e saj më të mirë, mund t’u bëjë ballë të gjithëve.
Pamja e plotë e play-off-it të Europës
Gjysmëfinalet – 26 mars
• Itali – Irlandë e Veriut
• Uells – Bosnjë Hercegovinë
• Ukrainë – Suedi
• Poloni – Shqipëri
• Turqi – Rumani
• Sllovaki – Kosovë
• Danimarkë – Maqedoni e Veriut
• Çekia – Republika e Irlandës
Finalet – 31 mars
• Fituesi Uells/Bosnjë – Fituesi Itali/Irlandë e Veriut
• Fituesi Ukrainë/Suedi – Fituesi Poloni/Shqipëri
• Fituesi Sllovaki/Kosovë – Fituesi Turqi/Rumani
• Fituesi Çeki/Irlandë – Fituesi Danimarkë/Maqedoni e Veriut







