Oltion Kërnaja ka pasur disa ditë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen ndaj Vllaznisë. Partizani do të presë kuqeblutë të dielën, më 23 nëntor, në orën 16:30. Sfida do të zhvillohet në stadiumin “Arena e Demave” dhe vlen për javën e 12-të të Superiores.
Ky takim e gjen Partizanin thuajse në të njëjtën situatë si në duelin ndaj Teutës: me shumë dilema për shkak të mungesave. Për këtë arsye, edhe përcaktimi i formacionit titullar paraqitet i vështirë.
Në ndeshjen ndaj Teutës, Partizani e nisi me skemën 4-4-2, ndërsa në pjesën e dytë Kërnaja kaloi në 3-5-2. Gjatë periudhës së tij në krye të ekipit, trajneri ka provuar disa variante taktike dhe edhe këtë herë priten lëvizje të mundshme në skemë.
Partizani rikuperon dy lojtarë të rëndësishëm që munguan në Durrës për shkak dëmtimi: Albion Marku dhe Arshonzh Bintsuka. Të dy mund të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Vllaznisë. Marku pritet të rikthehet direkt në formacion, ndërsa Bintsuka ka më shumë gjasa të përdoret si alternativë në pjesën e dytë. Rikthime të rëndësishme që shtojnë cilësi si në mbrojtje ashtu edhe në fazën sulmuese.
Katër liderë jashtë
Partizani do të vuajë mungesën e katër lojtarëve liderë. Tre prej tyre janë mbajtës të shiritit të kapitenit, ndërsa mungesa e Saliu Sembene rëndon edhe më shumë situatën.
Në mbrojtje mungojnë Marçelino Preka dhe David Atanaskoski. Ky i fundit u pezullua pasi plotësoi numrin e kartonëve të verdhë, ndonëse ndaj Teutës bëri një paraqitje shumë të mirë. Preka dhe Sembene janë ende në fazë rikuperimi.
Për disa kohë do të mungojë edhe kapiteni dhe sulmuesi kryesor, Skuka, i cili u largua me barelë në ndeshjen ndaj Vorës. Goli ka munguar për të në 11 javët e para, ndërsa dëmtimet janë kthyer në një shqetësim serioz. Edhe mungesa e tij ndaj Vllaznisë është e rëndë për ekipin.
Kontreras
Një tjetër mungesë e rëndësishme është ajo e Diego Kontreras. Kolumbiani u aktivizua nga stoli, shënoi dopietë, por u ndëshkua me karton të kuq vetëm 20 minuta pas hyrjes në fushë. Debutim spektakolar, por shërbimet e tij nuk do jenë të disponueshme ndaj Vllaznisë.







