Ish- portieri dhe drejtori sportiv i Vllaznisë Armir Grima, i cili tashmë mban detyrën e trajnerit të ekipit tonë kombëtar të femrave është prononcuar së fundi në media teksa ka folur jo vetëm për kombëtaren e tij, atë të meshkujve, por edhe për skuadrën e tij të zemrës. Ja si është shprehur ai:
si e shikoni kampionatin e këtij edicioni të Superiores?
E kam ndjekur kampionatin goxha dhe mund të them se është rivaliteti i këtyre sezoneve të fundit. Ka pak diferenca mes skuadrave, ndoshta më lart qëndron katërshja e parë e renditjes. Megjithatë çdo kundërshtar është i rrezikshëm dhe mund të të marrë pikë, prandaj them se deri në fund do ketë shumë rivalitet dhe do kemi një kampionat shumë të fortë dhe ekuilibruar.
Vllaznia në veçanti, bind në syrin tënd?
Po luan futboll ashtu siç duhet dhe duan shkodranët, ka rikthyer entuziazmin që mungonte disi. I shoh në rrugën e duhur dhe shpresoj të vazhdojnë kështu dhe këtë e them pa tifozllëk apo dëshirën si shkodran. Skuadra ka treguar futbollin më të mirë në kampionat e duke bërë diferencën me kundërshtarët direktë. Ka opsione të shumta të luajturit dhe futbollistë tek të cilët mund të besosh në çdo moment, ndaj kam besim tek ky ekip e po ashtu pres akoma më tepër duke njohur cilësitë e lojtarëve tek Vllaznia këtë edicion.
Çfarë ka ndryshuar tek kuqeblutë në krahasim me të shkuarën?
Besoj se grinta, dëshira dhe “uria” janë ato që bëjnë ndryshimin me sezonet e kaluara. Këtu i jap një meritë të veçantë Edit (Martinit), pasi ai e solli këtë psikologji tek skuadra. Unë e njoh atë mirë, jemi rritur bashkë e kemi një karrierë së bashku, është një djalë i zgjuar dhe zgjedhja më e duhur. Nëse ka një trajner që mund ta dërgojë Vllazninë drejt titullit kampion ai është pikërisht Martini. E di çfarë do ekipi, çfarë do Shkodra, si të luajë jo vetëm në fushë ndaj kundërshtarit, por edhe jashtë saj. I uroj shumë suksese dhe të ecë në këtë rrugë siç po ecën deri më tani.
Një opinion për portierët kuqeblu, duke qenë se jeni një ekspert i fushës…
Për mendimin tim Vllaznia ka dy portierë shumë të mirë, siç Pohls dhe Jukaj. Çdo portier ka ato uljet dhe ngritjet e tij gjatë edicionit, por mendoj se tashmë Pohls është përshtatur dhe po tregon nivelin e tij më optimal. Po ashtu Jukaj është një garanci dhe duhet ta shohim në portë duke u aktivizuar për të shikuar performancat e tij. Pastaj se kush do luajë atë e vendos stafi teknik që gjithmonë zgjedh atë që duket më në formë në bazë të asaj çfarë ata shohin çdo ditë në stërvitje.
Është ky sezoni i duhur që Vllaznia të rikthejë titullin?
Shiko, po e dëgjoj shpesh këtë që ky është viti i Vllaznisë, por çdo sezon është i Vllaznisë. Që kur nis kampionati emra si: Vllaznia, Partizani, Dinamo dhe Tirana janë automatikisht pretendentë, kjo vetë nga historia e tyre. Prandaj them se për Vllazninë gjithmonë është objektivi për të fituar titullin dhe kjo nuk ndryshon as këtë edicion. Megjithatë kushtet duken optimale që titulli të rikthehet pas 25 vitesh mungesë, por ka ende rrugë përpara dhe duhet sakrifikuar në çdo ndeshje dhe ndaj çdo kundërshtari për të arritur objektivin maksimal në fund të edicionit.
Si e mendon dhe parashikon duelin e radhës të shkodranëve në fundjavë përballë Partizanit?
Unë personalisht nuk i shikoj aspak diferencat e dy ekipeve në tabelën e renditjes dhe besoj këtë nuk e nënvlerësojnë as te Vllaznia. Partizani nuk është një ekip i dobët, por shumë i fortë dhe do kërkojë të vijojë me rezultatet pozitive pas fitores ndaj Teutës së fundmi. Vetë këto ndeshje të motivojnë dhe karikojnë futbollistët të japin më të mirën. Pres një ndeshje të fortë dhe luftuar, por them se Vllaznia në tërësi ka më cilësi se Partizani. E pikërisht kjo cilësi do bëjë diferencën dhe them se kuqeblutë do e kalojnë me sukses edhe këtë provë, duke marrë një fitore në kryeqytet.







