Kristiano Ronaldo është rikthyer në stërvitje me Mançester Junajtidin pasi mungoi në derbin me Sitin të dielën. Sulmuesi 37-vjeçar, iu drejtua qendrës stërvitore “Carrington” mëngjesin e së martës me një Kadillak luksoz ndërsa shoqërohej edhe nga truprojat e tij me Rejnxh Rover që e ndiqnin nga pas.

Portugezi mungoi në humbjen 4-1 në “Etihad” në Premier Ligë sipas trajnerit për shkak të një dëmtimi. Por “The Sun” zbuloi se ai u zemërua kur mësoi se do ta niste ndeshjen nga stoli dhe për këtë arsye fluturoi menjëherë drejt Portugalisë.

Vendimi i tij për të lënë Anglinë thuhet se ka surprizuar shumë prej shokëve të skuadrës. Kristiano u largua i fundit nga stërvitja ditën e djeshme.

Mbi të ardhmen e tij janë hedhur edhe një herë hije dyshimi dhe zërat në merkato sa vijnë dhe forcohen. Në Angli këmbëngulin se sulmuesi dëshiron të largohet dhe të provojë të transferohet te PSG-ja në verë, mbi të gjitha në rast se do të largohet Mbape.

Një tjetër hipotezë është se Mesi, pas një sezoni larg pritshmërive, mund të zgjedhë të transferohet në SHBA dhe kështu CR7 do t’i zinte vendin në Paris. Janë sigurisht skenarë shumë kompleksë, me të cilat trajneri Rangnik nuk dëshiron të përballet në këtë moment.

Gjëja më e rëndësishme është të rikthehen në garë me një fitore pas vetëm 1 pike në 2 ndeshjet e fundit. Dhe misioni nis këtë të shtunë ndaj Totenhemit të Kontes.