Ditën e sotme është publikuar në media të ndryshme lajmi se FIFA i ka bllokuar merkaton Vllaznisë për shkak të humbjes së një gjyqi ndaj një ish- lojtari të saj. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga vetë zyrtarë të klubit shkodran të cilët gjithsesi nuk duken shumë të shqetësuar në lidhje me këtë problem.
Gazeta “Shkodra Sport” ka kontaktuar me këtë çështje me presidentin e Vllaznisë Alban Xhaferi i cili nuk ka dashur të zgjatet shumë për këtë temë, por nga ana tjetër i ka siguruar të gjithë tifozët se një problem i tillë do të zgjidhet në kohën e duhur.
“Po, është e vërtetë se kemi humbur një gjyq dhe FIFA na ka bllokuar merkaton, por dua t’i siguroj të gjithë se kjo nuk përbën asnjë problem për ne. Gjithçka do të zgjidhet në kohën e duhur dhe merkatoja e Vllaznisë do të jetë sërish e hapur në kohën e duhur”- është shprehur numri 1 i klubit shkodran.
Kjo do të thotë se kuqeblutë do të paguajnë shumën e vendosur nga gjyqi i humbur në FIFA për ish- lojtarin e tyre dhe merkatoja do të rihapet sërish, për të vijuar me të njëjtin vrull drejt arritjes së objektivave të tyre.







