Fitorja në derbi dhe vendi i dytë pas dymbëdhjetë javësh tregojnë një Milan të qëndrueshëm, të fortë dhe të aftë të luftojë me më të mirët e Serisë A. Megjithatë, kur analizohet me kujdes ajo që sjell merkatoja e verës, panorama bëhet dukshëm më e zbehtë. Kuqezinjtë investuan plot 150 milionë euro për të përforcuar skuadrën me shtatë blerje të rëndësishme, por ndikimi i tyre në fushë deri më tani ka qenë minimal.

Blerjet ishin me emër dhe me shifra të larta:

Christopher Nkunku – 37 milionë euro
Ardon Jashari – 36 milionë
Samuele Ricci – 23 milionë
Koni De Winter – 20 milionë
Pervis Estupiñán – 17 milionë
Zachary Athekame – 10 milionë
David Odogu – 7 milionë

Një total investimesh që i shkon për shtat një skuadre që synon titullin kampion, por që ende nuk ka sjellë rezultat të prekshëm në fushë. Asnjëri prej këtyre shtatë lojtarëve nuk është kthyer në titullar të padiskutueshëm.

Mesfusha mbështetet te përvoja

Pavarësisht milionave të shpenzuara, çelësat e mesfushës mbeten në duart e veteranëve: Luka Modriç dhe Adrien Rabiot, dy lëvizje të verës që, paradoksalisht, kushtuan shumë më pak: Modriç erdhi me parametra zero, ndërsa Rabiot për më pak se 10 milionë euro nga Marseja. Me ta është bashkuar edhe Fofana, duke formuar një trio me eksperiencë të madhe dhe cilësi të padiskutueshme, e cila ka marrë kontrollin e skuadrës dhe ka lënë në hije të ardhurit që teorikisht duhej të përfaqësonin të ardhmen.

Pse blerjet nuk kanë shkëlqyer?

Arsyet janë të ndryshme: përshtatja e ngadaltë, ritmi i Serisë A, kërkesat taktike të Massimiliano Allegrit, si edhe konkurrenca e brendshme më e fortë sesa pritej. Të gjitha këto kanë bërë që transferimet e bujshme të mos arrijnë të gjejnë hapësirën e duhur.

Një paradoks i madh

Milani gjendet me meritë në vend të dytë, në të njëjtin nivel pikësh me Napolin dhe vetëm dy pikë pas Romës kryesuese. Por mbetet pyetja: ku do të kishte qenë ekipi nëse ato 150 milionë euro do të ishin investuar në lojtarë më gati për të bërë diferencën që nga dita e parë?

Kuqezinjtë vazhdojnë të ëndërrojnë madhështinë, por suksesi i deritanishëm vjen më shumë nga baza e vjetër dhe eksperienca, sesa nga blerjet e verës që pritet ende të shpërthejnë.