✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Disa futbollistë të Vllaznisë që nuk kanë pasur minuta të shumta apo nuk janë aktivizuar në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit në kampionat, janë “dërguar” së fundmi tek ekipi B i kuqebluve. Kjo për ndeshjen ndaj Dinamos B në Kategorinë e Tretë të futbollit tonë, ku përballë ishin dy ekipet pretendente për ngjitjen në Kategorinë e Dytë në grupin A. Kështu emra si Gurishta, i cili ishte i pezulluar në kampionat, po ashtu Kubazi, Ara dhe Tafili iu bashkuan ekipit të drejtuar nga Brikeno Bizi.
Do ishin kuqeblutë që do dominonin pjesën më të madhe të takimit ndaj kryeqytetasve dhe do ishte pikërisht Tafili, i cili me një supergol do zhbllokonte shifrat e duelit në minutën e 47-të të takimit. E kur dukej se Vllaznia B do merrte fitoren dhe kryesimin e kampionatit, do ishte Dinamo B që do barazonte në limitet e takimit me anë të Metës.
Në këtë mënyrë dy skuadrat do ndanin pikët me Dinamon B që mban vendin e parë me 13 pikë, T-Kamza në vendin e dytë me 11 pikë dhe Vllaznia B në të tretin me 10 pikë.
Për t’u kthyer tek futbollistët e skuadrës së parë, ata zhvilluan një lojë të kënaqshme, me Tafilin që ishte protagonist absolut. Ku jo vetëm goli, por edhe loja e paraqitur nga mesfushori ishte e një niveli për t’u vlerësuar.
Me 20-vjeçarin që tregon vlerat e tij e po ashtu pretendimet për një vend titullari tek skuadra e parë, ku mund të ketë edhe rotacione në vazhdimësi. Teksa po ashtu futbollistë si Kubazi dhe Ara morën minuta të rëndësishme e ndërsa Gurishta do rikthehet që në ndeshjen e rradhës me Teutën për të qenë sërish titullar në prapavijën e skuadrës së Martinit.















