Vijojnë lajmet e këqija për Neymar. Sulmuesi i Santos ka pësuar një lëndim të ri, këtë herë në meniskun e gjurit të majtë, duke e detyruar të mungojë për pjesën e mbetur të vitit 2025. Lëndimi vjen në një moment shumë delikat për Santos, i cili ndodhet në zonën e rënies, me vetëm tri ndeshje deri në fund të kampionatit.

Lumturia e Neymar zgjati pak, pasi kishte luajtur vetëm 4 ndeshje radhazi para se të pësonte lëndimin tjetër. Ky është lëndimi i katërt për vitin, që nga rikthimi i tij te klubi ku u rrit. Tifozët ende nuk kanë parë rregullshmërinë dhe ndikimin e pritur nga kthimi i yllit brazilian. Ai mungoi gjithashtu në ndeshjen kundër Internacional për shqetësime të trashëguara nga takimi me Mirassol, ku shënoi golin e barazimit.

Babai i Neymar kritikoi mënyrën si u përhap lajmi: “As ne nuk e dimë saktësisht lëndimin. Neymar bëri një ekzaminim imazherik dhe ende nuk kemi rezultatet. Si të përgjigjem për diçka që nuk e di? Media është më e informuar se unë”.

Ky lëndim pengon shanset e Neymar për të qenë në listën finale të Botërorit 2026, me Ancelottin që theksoi: “Ai ka 6 muaj për të treguar formën e duhur, sepse vetëm talenti nuk mjafton”./telesport/