Vllaznia do të luajë nesër ndaj Teutës ndeshjen e rradhës për kampionat dhe në pankinë rikthehet sërish Edi Martini. Klubi shkodran i është drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimi dhe si rrjedhojë Komisioni i Disiplinës në mbledhjen e tij të sotme e ka aprovuar atë.

Kujtojmë që Martini u pezullua po nga Disiplina para një jave me dy ndeshje si rrjedhojë e gjestit të tij pas ndeshjes me Dinamon dhe për këtë arsye, ai ndeshjen e kaluar ndaj Partizanit e pa nga tribuna e stadiumit “Arena e Demave” dhe jo në pankinë.

Krejt ndryshe do të ndodhë nesër. Klubi shkodran ka paguar shumën e caktuar nga FSHF për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit dhe sipas rregullores gjithçka tashmë është OK.

Edi Martini do të jetë nesër në vendin e tij për të udhëzuar futbollistët në përballjen me dursakët dhe padyshim që objektivi i vetëm është rikthimi tek fitorja dhe mbajtja e vendit të parë në renditje.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”