Me fitore e ka mbyllur këtë javë edhe Vllaznia U19 e cila ka triumfuar me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Vorës në sfidën e luajtur mesditën e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Në pjesën e parë ka qenë sulmuesi Seralb Hotaj ai i cili ka zhbllokuar shifrat që në minutën e pestë të ndeshjes dhe me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë. Në të dytën epërsia e kuqebluve të drejtuar nga trajneri Edmond Doçi është shtuar dhe si rrjedhojë janë shënuar edhe dy gola të tjerë.
Njëri ka patur për autor Gerison Zhurin, ndërsa tjetri është shënuar mbrojtësi Erigestino Pepnikaj, i cili në këtë mënyrë ka kompletuar fitoren me rezultat të pastër të ekipit të tij.
Me fitoren e sotme Vllaznia U19 është ngjitur në kuotën e 18 pikëve dhe aktualisht mban vendin e tretë në renditje. Në javët e fundit rezultatet e saj kanë ardhur duke u rritur dhe me siguri kështu do të ndodhë edhe në ndeshjet e ardhshme.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


