Nga Endri ÇINARI
Një transfertë delikate e pret Vllazninë në javën e 17-të të kampionatit, ku kuqeblutë do luajnë në kryeqytet “klasiken” e futbollit shqiptar përballë Tiranës. Ku pavarësisht vendit të fundit që mbajnë bardheblutë në Superiore, ky është një duel që nuk nënvlerësohet aspak në kampin shkodran. Kjo për vetë historinë dhe rivalitetin që mbart ky duel mes dy skuadrave, ku edhe pse forma mund të mos jetë optimale është gjithsesi një sfidë që dhuron emocione gjithmonë.
Ku nga ana tjetër edhe të besuarit e Martinit kërkojnë reagimin pas 5 javësh pa fitore në kampionat. Dhe kundër rekordmenëve të futbollit tonë kërkohet kthesa për të rifutur skuadrën në ritmin e duhur. Sipas statistikave, në sezonet e fundit në duelet ku Vllaznia është paraqitur si udhëtuese ndaj Tiranës, shifrat kanë “buzëqeshur” në favor të kuqebluve. Kështu në 6 duelet e fundit ku 9 herë kampionët kanë udhëtuar kundër Tiranës kanë arritur 4 fitore dhe 2 barazime.
Sukseset e Vllaznisë në këto vite njihen në shifrat 3-4, 0-1, 0-1 dhe 1-2 kundër bardhebluve. Teksa dy duele kur Vllaznia ka qenë udhëtuese kanë njohur shifrën “X” me rezultatet e bardha, dy herë nga 0-0. Teksa fitorja e fundit e Tiranës si pritëse ndaj shkodranëve shënohet para më shumë se 3 vitesh dhe më saktësisht në datën 14.05.2022. Me kryeqytetasit që fitonin 3-1 falë golave të Totre, Seferit dhe Xhixhes, e ndërsa kishte edhe një autogol në favor të Vllaznisë.
Statistika që tregojnë për një traditë pozitive të Vllaznisë në sezonet e fundit në transfertat kundër Tiranës, shifra të cilat kuqeblutë do kërkojnë t’i pasurojnë të shtunën, duke tentuar një rezultat pozitiv përballë bardhebluve.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


