Monday, February 23, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREZhivani: Vllaznia në ngërç financiar, futbollistët kanë humbur besimin

Zhivani: Vllaznia në ngërç financiar, futbollistët kanë humbur besimin

Gazetari Maringlen Zhivani, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Skaner” në MCN TV, ka bërë një pasqyrim të qartë dhe shqetësues mbi situatën aktuale të Vllaznisë, duke theksuar se skuadra shkodrane nuk është më ajo e fazës së parë të kampionatit. Sipas Zhivanit, ndryshimi është i dukshëm si në lojë, ashtu edhe në aspektin psikologjik të ekipit.

“Tani që Vllaznia nuk është ajo e fazës së parë, e di i madh dhe i vogël. Ka ndryshuar krejtësisht fytyrë kjo Vllazni. Nuk është Vllaznia e fazës së parë. Nuk është Vllaznia që dominonte çdo kundërshtar. Nuk është Vllaznia që futbollistët shfaqnin grintë në fushë. Nuk është më ajo Vllazni luftarake. Nuk është më ajo Vllazni agresive. Në fakt, po shohim një ekip që ka humbur besimin. Vllaznia nuk ka atë lojën që kishte në fazën e parë. Vllaznia në fazën e parë ka dominuar në të gjitha takimet, i ka mposhtur kundërshtarët edhe në fushë me rezultat, por edhe me lojë. Hiq këtu ndeshjen me Dinamon në Elbasan dhe me Flamurtarin në Vlorë. Nuk është Vllaznia e fazës së parë. Ka humbur besimi. Futbollistët nuk shfaqin dëshirë në fushë, ashtu siç e kanë shfaqur në fazën e parë”, u shpreh ai.

Zhivani zbuloi gjithashtu se, pavarësisht se nuk flitet publikisht në Shkodër, klubi po kalon një ngërç financiar, i cili sipas tij ka disa muaj që vazhdon dhe po ndikon drejtpërdrejt te futbollistët.

“Në Shkodër nuk flitet dhe nuk thuhet nga askush, por Vllaznia po kalon edhe një ngërç financiar në këto momente. Ka pak muaj që Vllaznia ka një kolaps financiar dhe ndoshta edhe kjo ka ndikimin e vet. Ka faktorin e vet tek futbollistët në fushë edhe një gjë e tillë, të cilët nuk po shfaqin atë që gjithë Shkodra pret”, theksoi Zhivani.

Ai kujtoi se në fillim të sezonit ishte ndërtuar një Vllazni shumë e fortë, ndoshta ekipi më cilësor i krijuar gjatë presidencës së Alban Xhaferit, me merita të veçanta për trajnerin Edi Martini. Megjithatë, faza e dytë ka sjellë zhgënjim të madh, me vetëm një fitore në nëntë ndeshje, duke ndikuar edhe te tifozët, të cilët kanë humbur besimin.

“Normalisht, në fillim të sezonit u ndërtua një Vllazni që në fakt e kishte frikë çdo kundërshtar, me emrat dhe ekipin që krijoi. Ndoshta, ky është edhe ekipi më i mirë që presidenti Xhaferi ka ndërtuar në këto pesë vite në drejtimin e tij dhe padyshim që, merita kryesore e ndërtimit të ekipit i takon trajnerit Edi Martini. Kjo Vllazni e kësaj faze të dytë lë shumë për të dëshiruar. Në nëntë ndeshje të marrë vetëm një fitore, ka sjellë një zhgënjim të madh edhe tek tifozët, pasi edhe tek ata ka humbur besimi. Ka një pesimizëm të madh në Shkodër. Normalisht, asnjë trajner nuk do t’i nxjerrë në publik problemet që skuadra ka brenda saj. Në fakt, problemet janë reale dhe në sytë e futbollistëve ka pesimizëm.”

Një tjetër problem serioz mbetet edhe bllokimi i merkatos, për shkak të katër çështjeve të hapura në FIFA me detyrime të prapambetura nga sezoni i kaluar.

“Situata nuk është më e mira e mundshme tek Vllaznia në këto momente. Këtë e lidh me faktorin financiar gjithmonë. Vllaznia e ka edhe merkaton e bllokuar për shkak të katër çështjeve që ka në FIFA, me detyrime të pashlyera që nga sezoni i kaluar. Nuk është momenti më i mirë i mundshëm për Vllazninë. Edhe në fushë, nuk janë futbollistët që Vllaznia kishte në fazën e parë. Nuk kemi futbollistët që shkëlqenin në fushë. Tifozët në Shkodër i përjetojnë shumë momentet negative të Vllaznisë.”

Zhivani vuri në dukje edhe mungesën e konferencave për shtyp para ndeshjeve të fundit, duke e lidhur këtë me gjendjen psikologjike të skuadrës.

“Edhe në komunikimet që kemi pasur me futbollistët, janë shumë pesimistë për situatën që po kalojnë. Iu ka humbur besimi. Po ta shikosh edhe në deklarata, nuk janë deklaratat e fazës së parë. Kemi tre ndeshje rradhazi që në prag të dueleve, Vllaznia nuk bën konferencë për shtyp, pasi as futbollistët s’kanë çfarë të thonë. Më përpara, Vllaznia ka qenë shumë e rregullt në konferencat për shtyp në çdo prag-ndeshje. Normalisht, kjo situatë ka dhënë reflektimin e vet. Edhe trajneri Martini e pohoi në prononcomin pas ndeshjes me Tiranën, që shumë futbollistët nuk marrin përgjegjësi në fushë”,-përfundoi gazetari Maringlen Zhivani.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments