Saturday, January 10, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREPERSONAZH/ Fatmir Dini, trajneri që 'zbuloi' Sabah Kerjotën dhe Erald Maksutin

PERSONAZH/ Fatmir Dini, trajneri që ‘zbuloi’ Sabah Kerjotën dhe Erald Maksutin

Shkruar nga Gjergj KOLA

Erald Maksuti i shënoi të shtunën gol Vllaznisë për llogari të Flamurtarit dhe shumë prej tifozëve shkodranë e duatrokitën. Kjo sepse Maksuti siç dihet është nga Shkodra, ndonëse ka edhe nga ata që nuk e dinë. Kjo sepse 21 vjeçari nuk ka luajtur asnjëherë me moshat e Vllaznisë. Megjithatë futbollin e ka filluar këtu dhe trajneri i tij i parë është një emër që ndoshta pakkush e njeh: Fatmir Dini.

Dhe Erald Maksuti është një nga “zbulimet” më të rëndësishme të këtij trajneri. Një tjetër emër i stërvitur për disa kohë me këtë trajner është Sabah Kerjota. Sulmuesi që sot po luan në Skoci me skuadrën kryesuese të kampionati- Hearts. Dhe fillimet edhe ai i ka me ekipin “Berdica” me trajner Fatmir Dinin.

Ky i fundit njihet në zonë nga të gjithë sepse ka luajtur mirë futboll me ekipet e kategorive të ulëta dhe më pas nisi të punonte si trajner moshash teksa krijoi ekipin “Berdica” me të cili mori pjesë për disa vite në kampionatet e Ligës Amatore për Zonën e Shkodrës. Dhe nëpër duart e tij kanë kaluar edhe dy prej emrave që po spikasin sot si Sabah Kerjota dhe Erald Maksuti.

Nëse Fatmiri nuk do t’i kishte krijuar këto ekipe të moshave në Berdicë, mbase edhe Kerjota e Maksuti nuk do ishin marrë me futboll. Prandaj dhe ai si trajner merr një vlerë të madhe për karrierën e mëtejshme të këtyre lojtarëve.

Fatmir Drini për një periudhë të shkurtër ka stërvitur në fillimet e tij edhe futbollistin aktual të Partizanit, Nebi Qokthi. Ashtu si dhe ish- portierin e Vllaznisë Zamir Vjerdha e të tjerë. Ky është një tregues se futbollistët mund të dalin nga çdo zonë. Mjafton që aty të jetë një person që t’u japë atyre besimin se mund të bëhen dikushi nesër.

Fatmir Drini më pas ka punuar për disa vite si trajner moshash me Akademinë e Murlanit dhe aktualisht punon tek Akademia “Atletik” duke e bërë sërish me shumë pasion punën e tij, për të zbuluar të tjerë “Kerjota” e “Maksuti”. Ai është nga ata trajnerë që asnjëherë nuk ka dëshirë të punojë për emrin e tij, por për t’u bërë nder fëmijëve që e duan këtë lojë.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments