Thomas Strakosha është padyshim një nga portierët më të mirë që ka pasur Shqipëria dhe këtë e tregon me paraqitjet që ka bërë me kuqezinjtë. Gardiani ka dhënë një intervistë të gjatë për mediat greke, ku është ndalur te karriera e tij, duke folur për Lacion, Çelsin, Premier Ligën apo edhe arsyen që e ka shtyrë që të zgjedhë Shqipërinë e jo Greqinë edhe pse e kishte mundësinë.
SKUADRA- Sigurisht, siç e thatë edhe ju, as vitin e kaluar nuk isha më i keqi, as këtë vit më i miri. Duhet të ketë një ekuilibër në gjithçka që bëjmë. Sigurisht ka ndryshuar mentaliteti me të cilin luan ekipi, me trajnerin e ri dhe me trajnerin e ri të portierëve.
Besoj se ekipi është më i balancuar, si në aspektin mbrojtës ashtu edhe në atë sulmues. Kështu, në thonjëza, portieri ekspozohet më pak sesa vitin e kaluar dhe ndoshta për këtë arsye bëhen edhe më pak gabime. Por kjo nuk do të thotë se vitin e kaluar ishim shumë më keq dhe këtë vit shumë më mirë. Jemi përmirësuar shumë si ekip dhe shumë lojtarë edhe në aspektin personal. Mendoj se kemi më shumë zgjidhje, sidomos në ndërtimin e aksioneve me këmbë, krahasuar me vitin e kaluar, dhe për këtë arsye ka më shumë automatizma në lojë. E di edhe vetë që pata një fillim shumë të keq me AEK-un, dhe njerëzit prisnin shumë më tepër nga unë dhe është logjike që të presin më shumë nga unë. Por sigurisht më mërziti shumë sezoni i kaluar, sepse nuk munda t’i ndihmoja sa doja. Kjo më dha edhe më shumë ego dhe motivim që ky sezon të fillonte më mirë dhe, të paktën si ekip, t’ia shpërblenim tifozëve hyrjen në Europë, sepse ua kishim borxh. Falë Zotit ia dolëm, sepse pa Europë do të ishte edhe një sezon tjetër shumë i vështirë për ne. Tani mendoj se jemi në një moment të mirë, por sezoni nuk ka mbaruar ende – jemi rreth në 50%.
Duhet shumë përmirësim nga secili prej nesh si futbollist, në aspektin personal. Në disa gjëra nuk jam i kënaqur me paraqitjen time, në disa të tjera ndjej se kam ndryshuar mënyrën se si jam në fushë. Por duke qenë se gjithmonë kam pasur një baba shumë të rreptë, edhe në këtë gjysmë sezoni ka gjëra që i kam bërë mirë, por edhe shumë gjëra të këqija që i analizoj me veten dhe dua t’i përmirësoj. Është diçka shumë e thjeshtë që thatë dhe që ndoshta tifozët nuk e mendojnë: kur një ekip nuk funksionon mirë, jo vetëm portieri, por edhe një mesfushor, për shembull, do të bëjë më shumë gabime. Sepse nëse merr topin dhe nuk ke zgjidhje, nuk ka lëvizje nga shokët e ekipit, sidomos kur je portier, një gabim i yti dallohet shumë më tepër.
FOTO STRAKOSHA-Unë mendoj se isha më me fat se babai im. Babai im filloi në kushte shumë të vështira, në rrethana shumë të vështira, dhe fakti që arriti të vijë në Greqi dhe të provojë atë që provoi, është diçka shumë e madhe dhe e respektueshme për të. Unë pata mundësinë të lindja në Greqi, të kisha më shumë mundësi, të stërvitesha në ambiente më të mira, me kushte më të mira dhe me trajnerë më të mirë. Babai im më stërviti në një moment shumë kyç kur isha i vogël, në Qipro, ku kishte më shumë kohë për mua. Prandaj, në këtë aspekt, mund të them që pata më shumë fat për të krijuar baza të forta që të më ndihmonin në të ardhmen. Shpresoj që në fund të karrierës sime të mund të them se bëra një karrierë më të madhe se babai im, por mendoj se ajo që ai arriti ishte shumë më e vështirë.
SHQIPËRIA- Siç ju thashë, Greqinë e dua dhe e respektoj, por gjithmonë jam ndjerë shqiptar. Edhe kur të lë futbollin, dua të jetoj në Greqi me familjen time, partneren time dhe të kem jetën time këtu, por unë jam shqiptar. Këtë ma kanë transmetuar si babai ashtu edhe nëna ime, të respektojmë dhe të duam rrënjët tona. Sidomos kur shkova jashtë vendit, ndjeva krenari që mund të vishja stemën e kombëtares sime. Babai im kishte luajtur për Shqipërinë dhe kishte qenë edhe kapiten. Ky ishte një imazh shumë i fortë për mua. Doja të provoja edhe për veten time se mund të arrija diçka me kombëtaren, jo në nivelin e babait tim, por të ndieja edhe unë atë krenari. Kur ishim të vegjël, shumë fëmijë përpiqeshin ta fshihnin origjinën e tyre, sepse ndiheshin keq. Kjo ndodhte kudo, jo vetëm këtu. Tani, kur shoh fëmijë në akademi që e thonë me krenari se janë shqiptarë, kjo më jep shumë gëzim. Ndjej se po bëj diçka të mirë, ashtu siç ndiheshin fëmijët krenarë kur erdhi babai im në Greqi. Ky është një nga aspektet më të rëndësishme për mua.
LACIO- Shkova për prova në moshën 16-vjeçare, së bashku me babain tim. U stërvita individualisht me trajnerin e portierëve të ekipit të parë të Lacios. Babai im kishte kontakt me drejtorin teknik të Lacios atëherë. Në atë moshë kërkonin portier të vitlindjes ’95, ndaj u provova edhe te Roma. Kisha oferta nga të dyja dhe aty duhej të merrja një vendim të rëndësishëm: ku të shkoja. Nga ana financiare, Lazio ofronte shumë më pak, por ndjeja se aty do të kisha më shumë mundësi për të luajtur dhe për t’u zhvilluar në një ambient më të mirë. Te Roma kishte ardhur një portier 25-vjeçar që po bënte karrierë shumë të madhe, kështu që e dija se do të më duhej të prisja shumë vite. Te Lacio kishte edhe Marketi, një portier shumë i mirë, por pas katër vitesh më erdhi mundësia ime.
PREMIER LIGA– Nga viti 2010 e më pas, futbolli italian kishte humbur pak nga shkëlqimi i tij. Premier Liga dhe La Liga ishin kampionatet më të forta. Prandaj besoja se hapi më i mirë pas Lacios për mua do të ishte Premier Liga. Kur kishte interes serioz nga Çels, ishte një mundësi shumë e madhe për karrierën dhe ndoshta hapi i duhur në atë moment. Por presidenti i Lacios vendosi që ekipi të qëndronte i bashkuar, sepse kishte edhe dy lojtarë të tjerë me oferta të mëdha. Doja të provoja edhe më shumë gjëra dhe ndjeva se koha e duhur për të ndryshuar ambient ishte pak më vonë – dhe kështu ndodhi.
BRENTFORD- Në jetën time kam mësuar të mos flas kurrë shumë, ndaj jam shumë i lumtur këtu, shumë i lumtur që jam te AEK me prindërit e mi dhe të dashurën time. Kështu që është diçka që nuk dua ta bëj më, të largohem përsëri, por në jetë nuk dihet. Nuk dua të them se ky kapitull mbyllet për mua. Te Brentfordi kisha një periudhë të vështirë, isha larg familjes, u dëmtova, nuk pata mundësi të rikuperohesha në vendin tim dhe të gjitha këto ndikuan por nuk dua të kthehem pas dhe ta mendoj. Është gjë që ka kaluar dhe tani jam shumë i lumtur. Sigurisht që do të jem shumë i lumtur nëse gjithçka mbaron me sukses dhe të shkoj me kombëtaren në Botëror. Kjo do të jetë një eksperiencë e madhe për mua.
FAMILJA– Kur u ktheva në Shqipëri, mamaja ime ishte shumë e lumtur, ashtu edhe babai dhe vëllai im. Ata u përkujdesën për gjithçka, madje edhe duke sjellë ushqim apo gatuar për mua. Tani ndoshta ka më shumë shqetësim sepse jam jashtë vendit dhe nuk mund të jenë pranë për të kontrolluar gjithçka, por mbështetja e tyre është gjithmonë e madhe.
KRITIKAT E BABAIT– Po, babai im që kur isha shumë i vogël, gjithmonë e shprehte kritikën shumë rrallë dhe padyshim që është përgjegjësi e tij, kështu u rrit, por pas një moshe, rreth 22- 23, kur bëja diçka të mirë ose të keqe, e ndjeja gjatë ndeshjes, kështu që nuk kisha nevojë ta dëgjoja pas ndeshjes, sepse isha pak i lodhur. Ishte disa herë që u përplasëm me babanë, një, dy, tre herë, i thashë, le ta lëmë pas ndeshjes, të mos diskutojmë për ndeshjen sepse as unë nuk dua të acaroj, as ti. Le ta diskutojmë një tjetër ditë, me një kafe, qetë. Sepse gjithmonë e di që gjykimi i tij në këtë aspekt është shumë i mirë, dhe fatkeqësisht më dhemb. Shumë herë e di çfarë mund të bëj më mirë. Bëj gabime dhe nuk kam nevojë ta dëgjoj nga ai, sepse e di që do më kritikojë.


