Shkruar nga Gjergj KOLA
Nuk ka lindur në Shkodër, por është bërë një shkodrane e vërtetë. E kemi fjalën për Bardhylka Beshirin, ish- basketbollisten e mirënjohur të Vllaznisë së viteve ’70 e cila ka lënë gjurmë në këtë sport teksa është bëre edhe kapitene e Vllaznisë dhe ka fituar edhe trofe me të. Po ndalemi sot ky ajo sepse ish- lojtarja e njohur e Vllaznisë feston sot ditëlindjen, pikërisht përvjetorin e 75-të të lindjes së saj dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së Gazeta “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj I urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Bardhylka në fakt ka lindur në Korçë më 13 janar 1951 dhe me basketbollin do të fillonte të merrej që në moshën 13 vjeçare, duke u inkuadruar në ekipet e moshave të Skënderbeut me trajner Pandi Këllqin. Në sezonin 1966-67, ajo do të shpallej kampione kombëtare me të rejat e Skënderbeut dhe në vitin 1968 do të kalonte me ekipin e të rriturave të Korçës.
Do të luante me të edhe një vit më vonë, ndërsa në vitin 1970 erdhi në Shkodër për të studiuar në Fakultetin trevjeçar të Histori- Gjeograafi në Institutin “Luigj Gurakuqi”. Me të ardhur në Shkodër, drejtuesit e Vllaznisë e marrin vesh dhe menjëherë e bindin për t’iu bashkuar skuadrës së tyre të drejtuar nga Viktor Kçira dhe Valter Kalaja dhe Beshiri do të luante në pesëshen e parë përkrah emrave të tillë si Artenca Tufi, Belkize Këçiçi, Leman Fani, Xhane Gega, Valdete Lipe, e më pas edhe me Xhuli Shestanin.
Në një shkrim të vitit 1975, gazeta “Sporti Popullor” e përshkruante kështu këtë sportiste:
“Gjithkund e para. Në çdo ushtrim. E mposht lodhjen me guxim dhe drejton shoqet në stërvitje, qoftë në lojë. Jo më kot është zgjedhur edhe kapitenia e ekipit.Ajo erdhi duke u perfeksionuar si sportiste nëpërmjet një stërvitjeje intensive dhe të pandërprerë. Ajo nuk e dallonte kurrë stërvitjen nga ndeshja. Kur mbaroi studimet në Institutin e Shkodrës nuk u largua nga ky qytet, por nisi punë si mësuese e edukimit fizik në shkollën 8 vjeçare “Ali Laçej”. Nga ky qytet zgjodhi edhe njeriun e saj të jetës, pikërisht një ish- basketbollist, Ali Beshirin”.
Por ndërkohë në vitin 1979, Vllaznia e basketbollit të femrave do të arrinte një sukses të madh sepse do të fitonte medaljet e arta në Spartakiadën e 4-të Kombëtare dhe pjesë e rëndësishme e këtij suksesi ishte edhe Bardhylka Beshiri që mbante edhe shiritin e kapitenes. Një sukses i merituar i këtij ekipi të drejtuar nga trajneri Valter Kalaja dhe që pjesë e tij ishin edhe sportistet e tjera si Liqe Hasaj, Aferdita Rakaj, Shyhrete Halili, Hydajete Burrja, Xhuli Shestani, Lumnije Syka, Mimoza Lika dhe Mimoza Kraja.
Bardha, siç e thërisnin të gjithë në Shkodër, do të vazhdonte të mbante fanellën me numrin 6 me të cilën ajo ka luajtur vazhdimisht, deri në vitin 1982, kur dhe i dha fund karrierës sportive. Një karrierë e mbyllur me suksese duke lënë një përshtypje shumë të mirë tek të gjithë, për temperamentin e treguar në fushën e lojës, seriozitetin e shfaqur dhe po ashtu edhe për marëdhëniet e krijuar me shoqet e ekipit dhe stafin teknik. Mbetet një emër i nderuar i historisë së basketbollit shkodran.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


