Shkruar nga Endri ÇINARI
Përballjet mes Vllaznisë dhe Egnatias kanë ndërtuar me kalimin e viteve një histori interesante dhe të balancuar, ku rivaliteti ka qenë gjithmonë i fortë dhe rezultatet shpesh të paparashikueshme. Dy skuadrat janë ndeshur gjithsej 28 herë në të gjitha kompeticionet, duke prodhuar një bilanc që flet për ekuilibër, por edhe për një avantazh të lehtë të Egnatias.
Në total, Vllaznia ka regjistruar 7 fitore, ndërsa Egnatia ka dalë fituese në 11 raste. Pjesa tjetër e përballjeve, plot 10 ndeshje, janë mbyllur në barazim, çka tregon se duelët mes shkodranëve dhe rrogozhinasve shpesh janë vendosur në detaje.
Sezoni aktual 2025-26 ka sjellë një tjetër kapitull pozitiv për kuqeblutë në këtë rivalitet. Në fazën e parë të kampionatit, Vllaznia triumfoi me shifrat 2-0, duke zhvilluar një paraqitje bindëse ndaj Egnatias. Ndërkohë, në fazën e dytë në Rrogozhinë, takimi u mbyll në barazim spektakolar 2-2, në një ndeshje të luftuar deri në minutat e fundit.
Këto rezultate i japin besim Vllaznisë për të ruajtur ecurinë pozitive ndaj kampionëve në fuqi të vendit edhe në fazën e tretë të edicionit. Shkodranët synojnë të konfirmojnë rritjen e tyre dhe të tregojnë se përballë Egnatias dinë të jenë gjithmonë një kundërshtar i vështirë, pavarësisht statistikave të përgjithshme që aktualisht anojnë lehtë në favor të rrogozhinasve.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


