Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Pas disa vitesh bashkëpunimi te Vllaznia, rrugët e portierit Kristi Qarri dhe trajnerit gjerman Thomas Brdariç pritet të kryqëzohen sërish, kësaj radhe në Kosovë. Gardiani shkodran është shumë pranë firmës me Drenicën, skuadër që drejtohet aktualisht nga Brdariç.
Burime të “Shkodra Sport” bëjnë me dije se ka qenë vetë trajneri gjerman ai që ka këmbëngulur për afrimin e Qarrit, të cilin e njeh mirë nga periudha e përbashkët te Vllaznia. Portieri nuk ka pasur hapësirat e duhura te kuqeblutë dhe si pasojë ka mbyllur aventurën e tij në Shkodër.
Palët mësohet se kanë arritur akordin dhe zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të ndodhë në orët në vijim. Brdariç e vlerëson eksperiencën e Kristi Qarrit dhe e sheh atë si një përforcim të rëndësishëm për projektin e Drenicës, drejtimin e së cilës e ka marrë pak kohë më parë.
Kujtojmë se, përveç portierit shkodran, Thomas Brdariç ka afruar te Drenica edhe dy ish-futbollistë të tjerë të Vllaznisë: mesfushorin Fjoart Jonuzi dhe fantazistin Victor Da Silva. Dhe ndërkohë shumë pranë firmës është edhe një tjetër ish- futbollist kuqeblu, Mehdi Çoba. Çka do të thotë se me shumë tek skuadra kosovare do të bëhen sëbashku plot pesë ish- pjestarë të Vllaznisë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


